Podgoricë, 23 korrik Zhurnal.mk – Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Republikën e Shqipërisë, Nikollë Camaj, priti në një takim zyrtar delegacionin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Informimin Publik, Jorida Tabaku.
Në përbërje të delegacionit ishin edhe nënkryetarja e Komisionit, deputetja Iris Luarasi, anëtarë të Komisionit, si dhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Shkëlqesia e Saj, Zhaklina Peto.
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, me theks të veçantë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar.
Bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm institucional dhe të shkëmbimit të përvojave në proceset demokratike dhe integruese.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua pozitës dhe të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Nënkryetari Camaj theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve, si dhe nevojën për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të tyre në përputhje me standardet evropiane.
Në përfundim të takimit, Camaj shprehu mirënjohjen për vizitën, mbështetjen e vazhdueshme dhe dhuratën simbolike, duke vlerësuar se takime të tilla kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe në thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.
