Shkup, 4 shtator, Zhurnal.mk – Komuna e Çairit javën e ardhshme pritet të nisë punimet për ndërtimin e bulevardit “Mit’hat Frashëri”, një nga projektet kryesore infrastrukturore të paralajmëruara nga komuna. Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, kanë inspektuar sot në terren segmentin ku do të zhvillohen punimet.
Projekti përfshin mbi 1.4 kilometra rrugë, nga rruga “Xhon Kenedi” deri te bulevardet “Sllovenia” dhe “Bosnja e Hercegovina”. Sipas komunës, bulevardi do të ketë katër korsi qarkullimi, trotuare, infrastrukturë për biçikleta, kanalizim atmosferik dhe ndriçim të ri publik.
“Bëhet fjalë për një nga projektet kryesore infrastrukturore për Çairin, i cili do të përmirësojë qarkullimin dhe infrastrukturën në këtë pjesë të komunës. Pikat tashmë janë vendosur dhe gjithçka është gati për fillimin e punimeve. Një nga një po i realizojmë projektet që ua kemi premtuar qytetarëve dhe kështu do të vazhdojmë edhe më tej, projekt pas projekti, deri në përmbushjen e plotë të zotimeve tona. Shumica e projekteve tashmë janë në përfundim dhe nuk ka mbetur shumë deri në realizimin e tyre”, deklaroi Mexhiti.







