Një shkëndijë mund të shkaktojë katastrofë: Angellov apelon të pastrohet rrethina e shtëpive dhe vilave

Nga I.A
497 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 gusht, Zhurnal.mk – Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DZS), Stojançe Angellov, u bëri thirrje pronarëve të shtëpive dhe vilave në zonat rurale dhe pyjore që me kohë të pastrojnë rrethinat dhe të krijojnë breza mbrojtës kundër zjarrit, për të ulur rrezikun e përhapjes së flakëve.

Ai theksoi se rreth objekteve të braktisura ose atyre që përdoren rrallë duhet të krijohen hapësira të pastra me gjerësi rreth dhjetë metra, varësisht nga vegjetacioni përreth. Sipas Angellovit, parandalimi është veçanërisht i rëndësishëm, pasi për shkak të ngrohjes globale dhe periudhave të gjata të thatësirës, në të ardhmen mund të priten zjarre edhe më të shpeshta.

„Prej vitesh e përsëris këtë apel: pastroni oborret tuaja, pastroni rrethinat e vilave dhe shtëpive tuaja. Vetëm kështu do të jeni të sigurt se zjarri nuk do t’i përfshijë nëse arrin deri te objekti juaj“, tha Angellov.

Ai u bëri thirrje edhe autoriteteve lokale që menjëherë të marrin masa parandaluese kur shfaqet zjarr pranë fshatrave dhe objekteve të vetmuara. Sipas tij, është e nevojshme të sigurohen breza kundërzjarrit me ndihmën e traktorëve ose buldozerëve, për të penguar përhapjen e flakëve deri te shtëpitë.

Angellov theksoi se në Mariovë zjarrfikësit dhe shërbimet e tjera po shpenzojnë resurse të mëdha për mbrojtjen e objekteve që mund të ishin siguruar më herët. Ai hodhi poshtë informacionet se në fshatin Çanisht kanë djegur shumë shtëpi, duke sqaruar se bëhej fjalë për disa, ndoshta dhjetëra objekte të vjetra dhe të braktisura.

Si problem shtesë, ai përmendi zjarret e shkaktuara nga faktori njerëzor – nga pakujdesia, por edhe me qëllim. Sipas tij, ka dyshime se në disa vende pyjet digjen për hakmarrje ose për prerje ilegale të drurit.

„Është veçanërisht e rëndësishme që qytetarët të jenë të kujdesshëm, sepse edhe një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë zjarr të madh“, paralajmëroi Angellov.

Vetëm dje u regjistruan 35 zjarre në hapësira të hapura, ndërsa sot deri në orën 13 janë evidentuar 12, prej të cilëve katër janë shuar dhe tetë janë ende aktive. Angellov pret që numri të rritet gjatë ditës, pasi periudha nga ora 12 deri në 16 është veçanërisht kritike për shfaqjen dhe përhapjen e zjarreve.

Si sfida më të mëdha ai veçoi zjarrin në Mariovë, zjarret në Studeniçan, si dhe flakët pranë Dragov Dol, ku terreni i vështirë e bën shuarjen edhe më të komplikuar. Zjarre ka pasur edhe në Tajmishte, Karasllar, Kuçkarevë, Gradihtë, Belushinë, Jakrenovë dhe Nikushtak.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër