Tetovë, 22 shkurt – Nëse nuk ka ndryshim urgjent të zakoneve, nuk do të ketë ajër të pastër në Tetovë. Përderisa shtëpitë ngrohen me gjithçka, ka orë të tëra bllokime në komunikacion dhe vazhdon ekspansioni i ndërtimtarisë, në Tetovë do të jetë vështirë të merret frymë, sidomos në dimër, thotë dr. Ilija Ilijoski, specialist i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, në një intervistë për TetovoInfo me temë si të ketë qyteti ajër më të pastër.
Edhe pse tema e ndotjes së ajrit shpesh bie në plan të dytë në opinionin publik, stacionet matëse tregojnë realitetin e ashpër: gjendja prej vitesh nuk ndryshon. Ndotja sezonale nga nëntori deri në shkurt është tashmë problem shumëvjeçar pa zgjidhje të dukshme.
Standardi botëror i shëndetit për një cilësi të mirë jetese lejon jo më shumë se 35 ditë të ndotura gjatë gjithë vitit, ndërsa në vitin 2025 të dhënat për Tetovën tregojnë 85 ditë me ajër të ndotur (dhe 29 ditë pa matje).
Duke pasur parasysh se dimri është periudha më kritike dhe në mungesë të industrisë së rëndë, rezulton se vetë tetovarët kontribuojnë në ndotje përmes mënyrave të papërshtatshme të ngrohjes së shtëpive dhe objekteve afariste.
“Qytetarët, aty ku është e mundur, duhet ta zhvillojnë atë vetëdije që ngrohja me biomasë, me dru apo mënyra të tjera alternative të zvogëlohet. Të përdoret më shumë energjia elektrike si mënyrë për ngrohjen e shtëpive, të përdoren pompa termike dhe të ngjashme. Institucionet duhet të punojnë për ngritjen e vetëdijes publike, të kontrollojnë çfarë digjet, si digjet dhe në çfarë mënyre. Duhet të punohet edhe me industrinë e lehtë, sepse në ato punishte dhe objekte prodhuese shpesh përdoren forma të tjera ngrohjeje, si vaj i përdorur e të ngjashme. Po ashtu edhe menaxhimi i mbeturinave komunale dhe i mbeturinave mjekësore”, thekson dr. Ilijoski.
Siç veprohet kudo në botë, edhe në rajonin tonë duhet të zbatohen praktikat tashmë të provuara për krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm, vlerëson doktori nga Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë.
“Të ulet niveli i komunikacionit, të ulet përdorimi i automjeteve motorike. Të shfrytëzohen më shumë mundësitë e transportit publik, autobusët dhe forma të tjera alternative të transportit. Të mos shohim një automjet me vetëm një person. Këtu duhet të zgjohet vetëdija publike”, thotë specialisti tetovar i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore.
Dr. Ilijoski rikujton se ndotja është rezultat i aktivitetit të përgjithshëm njerëzor në një mjedis. Përveç ngrohjes dhe komunikacionit, ai thekson se në Tetovë ka edhe faktorë specifikë që e rëndojnë më tej ajrin.
“Megjithatë, duhet ta veçojmë ekspansionin e ndërtimtarisë, që të gjithë e ndjejmë – ndërtohet pothuajse në çdo hap. Nuk mund ta anashkalojmë as bujqësinë dhe, edhe pse me përqindje më të vogël, kontribuojnë edhe fermat dhe guroret që ndodhen në rrethinë të Tetovës”, tha Ilijoski.
Në vitin 2025, Tetova ka 85 ditë me ajër të ndotur, ndërsa në 29 ditë nuk ka pasur matje të ndotjes së ajrit. Në vitin 2024 ka pasur 94 ditë të ndotura, në 2023 gjithsej 89 ditë, ndërsa në 2022 janë regjistruar 108 ditë me ajër të ndotur.
Në vitin 2021 ka pasur 132 ditë me ajër të ndotur, ndërsa në 2020, nga 366 ditë, 138 kanë qenë me ndotje në Tetovë.
Tetovarët janë përballur më së shumti me ajrin e ndotur në vitin 2015, kur nga 365 ditë, madje 350 kanë pasur përqendrim të lartë të grimcave të dëmshme PM10.
