Shkup, 17 korrik Zhurnal.mk – Qytetarët po reagojnë gjithnjë e më shumë se edhe këtë vit po vonohet dorëzimi i vendimeve për tatimin mbi pronën nga Qyteti i Shkupit. Në rrjetet sociale janë hapur diskutime të shumta, ku një pjesë e qytetarëve pyesin nëse bëhet fjalë për një problem teknik apo administrativ, ndërsa të tjerë spekulojnë se vonesa lidhet me përgatitjen e vendimeve të reja me tatim më të lartë mbi pronën.
Këto reagime vijnë pasi Qyteti i Shkupit më herët paralajmëroi ndryshime në mënyrën e llogaritjes së tatimit mbi pronën. Sipas paralajmërimeve, tatimi në të ardhmen do të përcaktohet në bazë të vlerës reale të tregut të patundshmërive, në vend të modelit aktual, i cili sipas autoriteteve të qytetit nuk e pasqyron vlerën e vërtetë të pronave.
Nga Qyteti i Shkupit theksojnë se sistemi aktual krijon padrejtësi, pasi pronarët e shumë banesave, shtëpive dhe objekteve afariste me sipërfaqe të ngjashme paguajnë pothuajse të njëjtin tatim, edhe pse vlera e tyre në treg ndryshon ndjeshëm.
Në vitet e fundit, çmimet e patundshmërive në disa pjesë të qytetit janë rritur ndjeshëm, por kjo nuk është reflektuar në mënyrë adekuate në shumën e tatimit.
Procesi i rivlerësimit të pronave fillimisht do të nisë në komunat Karposh dhe Qendër, ku sipas analizave janë konstatuar dallimet më të mëdha ndërmjet vlerës reale të pronave dhe tatimit që paguhet. Pas përfundimit të kësaj faze, procesi do të zgjerohet gradualisht edhe në komunat e tjera të Shkupit.
Në kuadër të reformës do të bëhet kryqëzimi i të dhënave me Agjencinë e Kadastrës së Patundshmërive, si dhe me institucione të tjera relevante, me qëllim që të përcaktohet gjendja reale në terren dhe të sigurohet një evidencë tatimore më e saktë dhe më e drejtë.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve të qytetit, modeli i ri do të mundësojë një shpërndarje më të drejtë të barrës tatimore, por njëkohësisht do të rrisë ndjeshëm të hyrat në buxhetin e qytetit. Pritet që pas zbatimit të plotë të reformës, të hyrat nga tatimi mbi pronën të rriten me më shumë se 30 milionë euro në vit.
Nga Qyteti i Shkupit për gazetën VEÇER bëjnë të ditur se vendimet për tatimin mbi pronën për vitin 2026 tashmë janë përgatitur dhe po pritet shpërndarja e tyre te qytetarët.
“Vendimet për tatimin mbi pronën janë përgatitur dhe nuk ka asnjë vonesë në hartimin e tyre. Arsyeja pse ende nuk u janë dorëzuar qytetarëve është se ende nuk është rifilluar procedura për dërgimin e dërgesave me AD ‘Posta e Maqedonisë’. Sapo të rifillojë kjo procedurë, vendimet për tatimin mbi pronën për vitin 2026 do të dorëzohen në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Administrata e qytetit sqaron se te personat juridikë procesi është dukshëm më i thjeshtë, pasi është bërë kryqëzimi i të dhënave me disa institucione kompetente, pas së cilës vendimet janë përgatitur dhe janë dërguar në mënyrë elektronike.
“Pjesa më e madhe e kompanive tashmë i kanë marrë vendimet për tatimin mbi pronën përmes postës elektronike. Në këtë mënyrë përshpejtohet procedura dhe njëkohësisht ulen shpenzimet administrative dhe koha e nevojshme për dorëzim”, theksojnë nga Qyteti i Shkupit.
Njëkohësisht, nga qyteti paralajmërojnë se komunikimi elektronik me tatimpaguesit do të jetë një nga prioritetet edhe në periudhën e ardhshme. Plani është që gradualisht të reduktohet dorëzimi fizik i vendimeve dhe gjithnjë e më shumë dokumente të dërgohen në mënyrë elektronike.
Sipas autoriteteve të qytetit, kjo qasje do të kontribuojë në një administratë më efikase, komunikim më të shpejtë me qytetarët dhe subjektet juridike, si dhe në uljen e konsiderueshme të shpenzimeve për shërbimet postare.
“Aktualisht, për dërgimin e një vendimi me postë paguhen rreth 100 denarë për një dërgesë të vogël, që përbën një shpenzim të konsiderueshëm kur bëhet fjalë për dhjetëra mijëra dërgesa. Prandaj synimi ynë është që në të ardhmen sa më shumë vendime të dërgohen në mënyrë elektronike, me ç’rast do të kursehen mjetet publike dhe do të modernizohet i gjithë procesi”, theksojnë nga Qyteti i Shkupit për VEÇER.
Nga Qyteti i Shkupit u bëjnë thirrje personave fizikë dhe juridikë që t’i shlyejnë me kohë detyrimet e tyre për tatimin mbi pronën për vitin 2025, me qëllim që të shmangen bllokimet dhe arkëtimi i detyrueshëm në të ardhmen.
“Qyteti i Shkupit ka detyrim të ndryshojë Rregulloren për metodologjinë e vlerësimit të tatimit mbi pronën. Para gjashtë-shtatë vitesh, një banesë në Komunën Qendër kushtonte 1.500-1.600 euro për metër katror, ndërsa tani kushton mbi 2.500 euro për metër katror. Për këtë arsye e ndryshuam Rregulloren. Ndryshimi është bërë në bazë të të dhënave nga kontratat e shitblerjes, ku gjatë llogaritjes së tatimit do të merret parasysh çmimi mesatar për metër katror në komunën përkatëse. Nëse një banesë është blerë për 3.000 euro për metër katror, nuk mund të paguhet tatim sikur të vlente 1.500 euro për metër katror”, informojnë nga Qyteti.
Nga Qyteti theksojnë se kjo metodologji nuk do të zbatohet vetëm për banesat e blera rishtazi, por edhe për pronat më të vjetra. Edhe ato do të tatohen sipas vlerës së tyre reale të tregut, e cila do të përcaktohet mbi bazën e çmimeve mesatare të kontratave të shitblerjes në komunën ku ndodhet prona.
Ata shtojnë se ndryshimet po zbatohen gradualisht dhe pjesërisht tashmë kanë hyrë në fuqi. Sipas tyre, Rregullorja duhej të ishte ndryshuar vite më parë, pasi metodologjia e vjetruar i ka shkaktuar humbje të konsiderueshme të hyrave Qytetit të Shkupit, ndërsa shumë prona janë tatuar sipas vlerave që nuk pasqyrojnë çmimin e tyre real në treg.
Ndërkohë, Qyteti i Shkupit e ka rikthyer në nivelin e mëparshëm edhe taksën komunale për kompanitë, e njohur si “firmarina”. Kështu, ajo sërish do të jetë 8.000 denarë në vit, në vend të 4.000 denarëve sa ishte deri më tani.
Kjo taksë para pandemisë së COVID-19 ishte 8.000 denarë, por më pas u ul me 50 për qind si një nga masat për mbështetjen e ekonomisë dhe zbutjen e pasojave për kompanitë. Meqenëse masa kishte karakter të përkohshëm, Qyteti i Shkupit tani e rikthen firmarinën në nivelin që ishte para pandemisë.
Nga administrata e qytetit vlerësojnë se rikthimi i firmarinës dhe metodologjia e re për llogaritjen e tatimit mbi pronën do të sigurojnë të hyra shtesë në buxhetin e qytetit. Sipas tyre, këto mjete do të orientohen për financimin e shërbimeve komunale, projekteve infrastrukturore dhe përmirësimin e funksionimit të qytetit.
