Operacioni “Basti i fundit”, AMP arreston një punonjës policie

Nga D V
1,008 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 korrik Zhurnal.mk – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi sot se në vijim të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera, u arrestuan në flagrancë një punonjës policie dhe dy shtetas.

AMP vuri në pranga Lutfi Dervishin me detyrë ndihmësspecialist i Policimit në Komunitet, me zonë mbulimi qytetin e Fushë-Krujës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 119 fishekë model 9mm.

Gjithashtu u arrestuan edhe Sabah Stafuka, banues në Arrameras, Fushë-Krujë dhe Fatmir Stafuka, banues në Arrameras, Fushë-Krujë.

Sipas AMP-së, arrestimi i shtetasve Sabah Stafuka dhe Fatmir Stafuka u krye për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet objekt hetimi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 4 pajisje elektronike (makineta) të dyshuara për ushtrimin e lojërave të fatit; 2 serverë/njësi kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për aktivitetin e kundërligjshëm; 1 pajisje DVR; 5 qese me mbështjellje plastike, që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 2.22 gramë; 6 qese të vogla plastike, që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 4.41 gramë;  3 aparate telefonike celulare.

Veprimet hetimore vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë, si dhe evidentimin dhe dokumentimin e çdo rasti të favorizimit, mbështetjes apo mosveprimit nga punonjës të strukturave ligjzbatuese.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër