Prishtinë, 8 shtator Zhurnal.mk – Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë thirrje drejtësisë në Kosovë dhe institucioneve kompetente në vendet përkatëse që të hetojnë dhe zbardhin dyshimet për dëmtimin e Grupit Mabetex.
Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se prej disa ditësh po qëndron në Benghazi, ku sipas tij ka shqyrtuar informacione dhe dokumentacion që e kanë bindur se disa prej ngjarjeve që kanë dëmtuar Mabetex-in nuk kanë qenë episode të izoluara.
“Gjurmët e kësaj historie, sipas dokumenteve dhe dëshmive që disponoj, shtrihen nga Vlora në Benghazi, nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Kosovë, si dhe në projekte të tjera ndërkombëtare”, ka shkruar Pacolli.
“Sipas dokumentacionit që disponoj, rreth 14 milionë në mjete të gatshme ishin vënë në dispozicion për realizimin e obligimeve kontraktuale. Ndërkohë, dhjetëra kamionë Mercedes na ishin paraqitur përmes fotografive si “forca mekanike” me të cilën do të realizohej kontrata.
Ajo që më pas kemi mësuar ngre dyshime shumë serioze: këta kamionë, sipas informatave tona, nuk ishin angazhuar në kantier në mënyrën që na ishte prezantuar, ndërsa më pas ishin shitur. Pikërisht për këtë dhe për transaksione të tjera financiare, organet kompetente në Benghazi po punojnë për sqarimin e rrethanave”, ka deklaruar ai.
Pacolli ka përmendur edhe çështje të ngritura në Emiratet e Bashkuara Arabe, që lidhen me veprimet e ish-drejtuesve Valon Lluka dhe Fitim Pajaziti, përfshirë pretendime për komisione të paautorizuara nga furnitorë të Mabetex-it në projekte ndërkombëtare në Zimbabve dhe Kenia.
“Bëhet fjalë për pretendime që, sipas vlerësimeve tona, lidhen me dëme prej miliona. Përgjegjësinë penale apo civile të secilit nuk e përcaktoj unë dhe as opinioni publik. Atë duhet ta përcaktojë drejtësia, mbi bazën e dokumenteve dhe provave”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka folur edhe për kompaninë Alhami dhe transaksionet e lidhura me të, të cilat, sipas tij, kanë qenë objekt procedurash në Emirate.
Ad Banner
“Për ne është veçanërisht e rëndësishme të zbardhet jo vetëm destinacioni i mjeteve financiare, por edhe roli eventual i personave që, sipas pretendimeve tona, kanë punuar për dobësimin dhe përjashtimin e Mabetex-it nga tregje ku kompania kishte ndërtuar pozicionin e saj me vite të tëra pune”, ka deklaruar ai.
Pacolli ka ngritur dyshime edhe për krijimin e strukturave dhe interesave të tjera biznesore në Shqipëri dhe Kosovë, gjatë kohës kur disa persona ushtronin funksione drejtuese në Mabetex.
Ai ka thënë se ekzistojnë edhe fatura dhe pagesa për të cilat, sipas tij, duhet të sqarohet se çfarë shërbimesh reale janë kryer, mbi çfarë baze janë aprovuar dhe kush ka ushtruar presion për kontabilizimin dhe pagesën e tyre.
Një çështje tjetër që ka përmendur Pacolli lidhet me fabrikën e kërpudhave “Hirano” në Mitrovicë dhe mbështetjen financiare të siguruar nga Bashkimi Evropian për makineri të reja.
“Sipas informatave që disponoj, ekzistojnë dyshime se pajisjet e financuara nuk kanë përfunduar në destinacionin për të cilin ishte dhënë financimi, ndërsa pajisje ekzistuese dyshohet se janë paraqitur si të reja”, ka shkruar ai.
Pacolli ka thënë se edhe kjo çështje duhet të sqarohet nga institucionet.
“Ka edhe shumë çështje të tjera për të cilat pres që drejtësia në Kosovë dhe institucionet kompetente në vendet përkatëse të japin përgjigjen e tyre.
Sa i përket aeroportit, do të presim përfundimin e zhvillimeve dhe më pas do të bëjmë një rezyme të plotë të kësaj historie”, ka deklaruar ai.
Në fund, Pacolli ka thënë se nuk ka ndërmend të zhvillojë “gjyqe publike” dhe se nuk kërkon që dikush të shpallet fajtor përmes një statusi apo deklarate.
“Unë nuk kam ndërmend të zhvilloj gjyqe publike. Nuk kërkoj që dikush të shpallet fajtor përmes një statusi apo deklarate. Kërkoj që dokumentet të shqyrtohen, paratë të gjurmohen, përgjegjësitë të përcaktohen dhe drejtësia të bëjë punën e saj”, ka shkruar ai.
Pacolli ka thënë se një gabim ia pranon vetes.
“Në gjithë këtë histori, një gabim ia pranoj vetes:
U kam besuar njerëzve të gabuar.
Për këtë besim kam paguar dhe vazhdoj të paguaj një çmim të rëndë.
Por nuk do të paguaj edhe çmimin e heshtjes”, ka shkruar ai.
Në fund të postimit, Pacolli i ka bërë thirrje drejtësisë në Kosovë që dyshimet dhe abuzimet të zbardhen deri në fund.
“I bëj thirrje drejtësisë në Kosovë që këto dyshime dhe abuzime të zbardhen deri në fund, pa ndikime, pa selektivitet dhe pa kompromis.
Dëmi i rënd i shkaktuar Grupit Mabetex nuk është vetëm financiar, por edhe reputacional, me jehonë përtej kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Koha është që të flasin faktet, të veprojë drejtësia dhe secili të mbajë përgjegjësinë që i takon.
E vërteta mund të vonojë. Drejtësia mund të kërkojë kohë. Por asnjëra nuk duhet të braktiset. Ky është besimi im tek organet e drejtësisë!”, ka përfunduar Pacolli.
