Shkupi mes qyteteve evropiane ku shtëpia bëhet projekt vështirë i arritshëm

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 shtator, Zhurnal.mk – Çmimi i metrit katror nuk është treguesi i vetëm për atë se sa është e vështirë të blihet shtëpi e vet. Shumë më i rëndësishëm është raporti mes çmimit të pasurisë së paluajtshme dhe të ardhurave të amvisërive, dhe pikërisht sipas këtij treguesi Shkupi gjendet në grupin e qyteteve evropiane ku blerja e banesës paraqet sfidë të konsiderueshme financiare.

Të dhënat për tregun evropian tregojnë se problemi me qasjen në banim vazhdon të thellohet. Në tremujorin e parë të vitit 2026, çmimet e shtëpive në Bashkimin Evropian kanë qenë për 5,1 për qind më të larta krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën periudhë, qiratë janë rritur për 3 për qind.

Dallimet mes qyteteve bëhen më të qarta kur çmimi i pasurive të paluajtshme vihet në raport me të ardhurat lokale.

Sipas indeksit të Numbeo për vitin 2026, Lisbona ka raport çmim-të ardhura prej 19,7, Praga 18,9, Spliti 17,4, Tirana 16,9, ndërsa Beogradi 16,5. Parisi është në 15,9, ndërsa Shkupi ka raport prej 12,79.

Edhe pse ky tregues është më i ulët se ai në qytetet e përmendura, ai tregon se çmimi i pasurive të paluajtshme në Shkup është i lartë në raport me fuqinë financiare të amvisërisë mesatare.

Numbeo në llogaritje merr parasysh banesë prej 90 metrash katrorë, çmime mesatare për metër katror në pjesët qendrore dhe periferike të qytetit dhe të ardhurat neto familjare të disponueshme, të llogaritura mbi bazën e 1,5 pagave neto mesatare.

Të dhënat e përditësuara nga shtatori 2026 tregojnë se çmimi mesatar i banesës në qendër të Shkupit është rreth 146.639 denarë për metër katror. Sipas modelit të Numbeo, kësti mujor i vlerësuar për kredi banesore arrin rreth 94,9 për qind të të ardhurave familjare të disponueshme.

Ndërkohë, pasuritë e paluajtshme në Shkup vazhdojnë të shtrenjtohen. Sipas Global Property Guide, çmimet e banesave në kryeqytet në tremujorin e dytë të vitit 2026 kanë qenë për 13,33 për qind më të larta se një vit më parë. Kur rritja korrigjohet për inflacionin, shtimi arrin rreth 9,6 për qind.

Analiza njëkohësisht tregon kërkesë të fortë dhe rritje të kreditimit për banesa, veçanërisht në mjediset urbane.

Rritja e çmimeve nuk është trend i ri. Sipas së njëjtës analizë, e cila i referohet të dhënave nga Banka Popullore, në tremujorin e fundit të vitit 2025 indeksi i çmimeve ka qenë pothuajse 25 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo do të thotë se edhe rritja e pagave nuk duhet automatikisht ta lehtësojë blerjen e banesës. Nëse çmimet e pasurive të paluajtshme rriten më shpejt se të ardhurat, blerësit vazhdojnë të përballen me hendek gjithnjë e më të madh mes të ardhurave të tyre dhe çmimit të shtëpisë.

Gjendje e ngjashme ka edhe në qytete të tjera evropiane. Lisbona, për shembull, veçohet me raport veçanërisht të lartë mes çmimit të pasurive të paluajtshme dhe të ardhurave, ku shtëpia arrin vlerë prej pothuajse 19 të ardhura vjetore të një amvisërie tipike.

Praga, nga ana tjetër, tregon se çmimi i lartë i metrit katror nuk është i mjaftueshëm për të përcaktuar qasjen në banim. Atje metri katror në qendër është më i shtrenjtë se në disa metropole të tjera evropiane, por problemi bëhet më i qartë kur çmimi krahasohet me pagat lokale.

Qasje të ndryshme përdor edhe “Deloitte”, e cila llogarit sa paga bruto vjetore nevojiten për blerjen e një banese të re prej 70 metrash katrorë. Sipas të dhënave të tyre, në Amsterdam nevojiten 15,4 paga vjetore, në Athinë 15,3, ndërsa në Pragë 15. Në Odense dhe Torino, e njëjta banesë korrespondon me 4,9 paga vjetore.

Edhe pse Numbeo dhe “Deloitte” përdorin metodologji të ndryshme, të dhënat tregojnë të njëjtin trend: qasja në hapësirën banesore nuk mund të vlerësohet vetëm sipas çmimit të metrit katror.

Për Shkupin, kjo do të thotë se, edhe pse çmimet e pasurive të paluajtshme nuk janë në nivelin e metropoleve më të shtrenjta evropiane, raporti mes çmimeve dhe të ardhurave lokale paraqet faktor serioz për qasjen në shtëpi të vet. Presion shtesë krijon edhe fakti që çmimet e banesave vazhdojnë të rriten.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër