Peleshi pret homologun kroat: Forcim i marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe

Nga D V
502 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 08 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi priti sot kryetarin e parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviç, me të cilin zhvilloi një takim të përqendruar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

Gjatë takimit, dy homologët vlerësuan nivelin shumë të lartë të marrëdhënieve shqiptaro-kroate, të mbështetura në partneritetin strategjik, vlerat e përbashkëta euroatlantike dhe vizionin e përbashkët për stabilitetin, sigurinë dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar Zagrebin një partner të rëndësishëm politik dhe teknik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai ndau me homologun kroat progresin e Shqipërisë në negociatat me BE-në dhe vlerësoi hapjen e të gjithë grupkapitujve si një arritje historike për vendin.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe dimensioni parlamentar i bashkëpunimit, ku të dy kryetarët theksuan rëndësinë e diplomacisë parlamentare në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ata shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin ndërmjet komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë dhe delegacioneve përkatëse, veçanërisht në fushat e integrimit europian, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.

Kryeparlamentari kroat Jandrokoviç vlerësoi avancimin e shpejtë, arritjet, qartësinë dhe vendosmërinë e Shqipërisë si vend pararojë mes vendeve kandidate drejt integrimit europian, rikonfirmoi mbështetjen e Kroacise si edhe nënvizoi gadishmërinë e parlamentit kroat për të mbështetur Kuvendin në aspektet politike e teknike të anëtarësimit.

Peleshi dhe Jandrokoviç ritheksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar nismën trepalëshe Shqipëri-Kroaci-Kosovë si një kontribut konkret për forcimin e sigurisë rajonale dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet aleatëve.

Gjatë takimit u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, lidhshmërinë rajonale, projektet infrastrukturore dhe energjetike, si dhe potencialin për bashkëpunim më të madh në sektorin e turizmit. Palët ndanë bindjen se këto fusha përbëjnë shtylla të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin e mëtejshëm rajonal.

Vizita e kryetarit të parlamentit të Kroacisë në Tiranë konfirmoi edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit politik, parlamentar dhe strategjik në shërbim të paqes, sigurisë dhe perspektivës europiane të rajonit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër