Sukre, 18 maj, Zhurnal.mk – Bolivia po përballet me një përshkallëzim protestash dhe bllokimesh rrugore, vetëm gjashtë muaj pasi presidenti Rodrigo Paz mori detyrën, ndërsa bllokadat rreth qytetit të La Paz kanë shkaktuar mungesa ushqimesh dhe karburanti në kryeqytet.
Punonjës të minierave, fermerë, mësues dhe mbështetës të ish-presidentit Evo Morales janë mes pjesëmarrësve në protestat që vijojnë prej rreth dy javësh.
Disa grupe po protestojnë kundër rritjes së kostos së jetesës dhe kërkojnë rritje pagash, ndërsa të tjera kërkojnë dorëheqjen e Paz.
Bolivia ndodhet prej vitesh në një krizë të thellë ekonomike, e cila ka shkaktuar vazhdimisht trazira sociale.
Paz është në detyrë që nga nëntori dhe përfaqëson Partinë Kristian-Demokratike, një forcë politike e qendrës.
Fitorja e tij në zgjedhje i dha fund gati dy dekadave të qeverive të majta në Bolivia, periudhë e dominuar nga rivaliteti politik mes Morales dhe pasuesit të tij të majtë, Luis Arce.
Departamenti Ameerikan i Shtetit (DASH) dënoi dje në një postim në X, çdo veprim që synon destabilizimin e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të Paz.
Tetë qeveri konservatore të Amerikës Latine publikuan gjithashtu një deklaratë të përbashkët duke dënuar çdo përpjekje për të minuar rendin demokratik në Bolivia.
“Jemi të gatshëm të ndjekim çdo rrugë dialogu”, deklaroi ministri presidencial José Luis Lupo përpara bisedimeve me disa prej grupeve protestuese.
Sipas tij, dhuna dhe intoleranca vetëm sa do të krijonin më shumë probleme.
Sipas zyrës së Avokatit të Popullit në Bolivia, të paktën 47 persona janë ndaluar dhe pesë të tjerë janë plagosur gjatë protestave.
Të paktën, 15 bllokada rrugore mbetën aktive dje në departamentin e La Paz-it, raportoi “El Deber”.
Dhoma lokale e tregtisë vlerësoi humbjet ekonomike të shkaktuara nga protestat në rreth 500 milionë dollarë.
