Fëmijët e ekspozuar ndaj abuzimit seksual, kundërshton tërheqjen e lëndës Edukimi seksual

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 shtator Zhurnal.mk – Shoqata joqeveritare HERA ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të tërhequr programin dhe lëndën zgjedhore “Edukimi seksual”. Nga HERA apelojnë se, nëse ka diçka nga e cila duhet të kemi frikë, nuk është edukimi seksual, por rastet gjithnjë e më të shpeshta të ngacmimeve, dhunës seksuale, keqtrajtimit dhe përdhunimit tek të rinjtë, të kryera nga të mitur, si në shkolla ashtu edhe në hapësirat publike.

“Në një vend ku të dhënat për dhunën, diskriminimin dhe shëndetin e të rinjve janë alarmante, kërkojmë që programet arsimore t’u përgjigjen nevojave të përditshme të të rinjve dhe shqetësimeve të prindërve. Nëse ka diçka nga e cila duhet të kemi frikë, nuk është edukimi seksual, por rastet gjithnjë e më të shpeshta të ngacmimeve, dhunës seksuale, keqtrajtimit dhe përdhunimit tek të rinjtë, të kryera nga të mitur, si në shkolla ashtu edhe në hapësirat publike. Duhet të na shqetësojë fakti se madje 10% e fëmijëve të moshës 12 deri në 17 vjeç në Maqedoninë e Veriut, ose pothuajse 12 mijë fëmijë, janë ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual përmes teknologjisë vetëm brenda një viti”, thonë nga HERA.

Sipas tyre, të dhënat tregojnë se 8% e fëmijëve janë ekspozuar ndaj imazheve seksuale, 5% kanë marrë kërkesa të padëshiruara për fotografi ose video intime, 4% janë shantazhuar se përmbajtjet e tyre do të publikohen, ndërsa në 3% të rasteve këto përmbajtje tashmë janë shpërndarë pa lejen e tyre.

“Për më tepër, në 78% të rasteve kryerësi është një person që fëmija e njeh, ndërsa 52% e rasteve të shfrytëzimit seksual ndodhin përmes rrjeteve sociale si Instagram, Snapchat, TikTok dhe WhatsApp. Në një realitet të tillë, është dëshpëruese që vetëm 19% e fëmijëve të anketuar kanë deklaruar se kanë marrë një lloj edukimi seksual. Të dhënat për shëndetin seksual dhe riprodhues tregojnë gjithashtu se vetëm gjatë vitit 2024 kanë lindur 588 fëmijë nga nëna të moshës 15 deri në 19 vjeç, ndërsa vetëm brenda një muaji janë regjistruar edhe 11 raste të reja me HIV”, theksojnë nga HERA.

Nga HERA vlerësojnë se tërheqja e edukimit seksual nënkupton heqjen e një prej mjeteve të rralla sistematike që mund t’i ndihmojë të rinjtë të njohin rrezikun, të vendosin kufij, të thonë “jo”, të kërkojnë ndihmë dhe të mbrohen.

“Edukimi seksual nuk është kërcënim për fëmijët, por një përgjigje sistematike ndaj kërcënimeve me të cilat ata tashmë përballen: dhuna seksuale dhe ajo mes bashkëmoshatarëve, shantazhet, shpërndarja e fotografive intime pa pëlqim, marrëdhëniet toksike, shtatzënitë e paplanifikuara, parandalimi i HIV-it dhe dezinformatat në internet. Edukimi seksual u mëson të rinjve çfarë është pëlqimi, si vendosen kufijtë personalë, si të njihet abuzimi, si ndërtohet një marrëdhënie e shëndetshme, si të mbrohet trupi dhe ku të kërkohet ndihmë. Kjo është parandalim, njohuri dhe mbrojtje”, thuhet në reagim.

Nga HERA i referohen edhe studimit ndërkombëtar “Disrupting Harm”, të realizuar nga UNICEF, INTERPOL dhe ECPAT International, i cili rekomandon integrimin në programet shkollore të edukimit të përshtatshëm për moshën lidhur me marrëdhëniet, kufijtë dhe pëlqimin.

“Vendimi i sotëm hap një pyetje të thjeshtë: Nëse provat tregojnë se fëmijët janë të ekspozuar ndaj dhunës, abuzimit, shantazheve dhe dezinformatave, pse do të tërhiqej pikërisht mjeti që duhet t’i ndihmojë ata të mbrohen?”, pyesin nga HERA.

Nga kjo shoqatë theksojnë se tërheqja e edukimit seksual nuk do t’i zhdukë rreziqet, rrjetet sociale, dhunuesit, shtatzënitë e hershme, HIV-in apo abuzimin.

“Ajo do të heqë vetëm njohuritë, duke i bërë të rinjtë edhe më të cenueshëm.”

“Presim që shkenca dhe provat të jenë bazë për çdo vendim të ardhshëm, sepse politika arsimore nuk duhet të udhëhiqet nga frika, presioni dhe dezinformatat. Fëmijëve nuk u duhet më pak arsim, por më shumë njohuri, më shumë parandalim dhe më shumë mbrojtje”, thuhet në reagimin e HERA-s.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër