Shkup, 17 korrik – Ministri i Transformimit digjital, Stefan Andonovski dhe drejtori ekzekutiv i Telekomit të Maqedonisë, Goran Markoviq sot nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit që parashikon zgjerimin e rrjetit 5G, lidhjen e 10,000 amvisërive dhe kompanive të reja me rrjete fikse gigabit, sigurinë kibernetike dhe mbështetjen e aftësisë digjitale në arsim.
Siç theksoi Andonovski, nënshkrimi i këtij Memorandumi të mirëkuptimit do të kontribuojë në thellimin e mbështetjes reciproke dhe ngritjen e bashkëpunimit në një nivel më të lartë me qëllime të qarta dhe përgjegjësi të përbashkëta. Gjatë takimit, gjithashtu, Andonovski theksoi se është diskutuar lidhur me planet për ndërtimin e një Qende të dhënash (Data qendër).
“Telekomi i Maqedonisë, si investitori kryesor privat në infrastrukturën digjitale dhe njëkohësisht një kompani me kapital shtetëror, do të përkushtohet në investime që do të sigurojnë lidhjen e 10,000 amvisërive dhe kompanive të reja me rrjete fikse gigabit, do të zgjerojë mbulimin me rrjetin 5G, ndërsa siç është diskutuar është në plan edhe ndërtimi i një Qendre të dhënash. Ky partneritet nuk është vetëm një investim në infrastrukturë dhe serverë, por një investim në njerëz. Në kuadër të këtij Memorandumi, parashikohen aktivitete për shkrimin digjital, sigurinë kibernetike, mbështetjen për aftësitë digjitale në arsim dhe pajisje në shkollat fillore. Nga ana e Qeverisë, angazhohemi për krijimin e një mjedisi të favorshëm për biznes dhe siguri ligjore, të cilat nxisin investime, transparencë dhe procedura më të shpejta për ndërtimin e infrastrukturës digjitale të brezit të ri, përmes ndryshimeve të reja të ligjeve për digjitalizimin, mbështetjen për ndërtimin e rrjeteve në zonat rurale dhe inkurajimin e projekteve publike-private”, tha Andonovski.
Ai tha se transformimi digjital parasheh detyrim shoqëror për përparimin dhe zhvillimin e vendit, pasi, siç tha, çdo shërbim i ri onlajn do të thotë një sportel më pak. Vizioni, thekson është që digjitalizimi të mos i largojë institucionet nga qytetarët, por të krijoj besim dhe parashikueshmëri.
“Transformimi digjital për ne nuk është agjendë teknologjike me qëllim të njëanshëm. Ajo është një detyrim shoqëror për përparimin dhe zhvillimin. Çdo shërbim i ri onlajn do të thotë një sportel më pak, një ditë më pak pritje, një mundësi më shumë për qytetarët për ta shfrytëzuar kohën e tyre më mirë me familjen, miqtë ose në kompani. Vizioni ynë është që digjitalizimi të mos i largojë institucionet nga qytetarët, përkundrazi, t’i afrojë ato, të krijojë besim, parashikueshmëri dhe dinjitet në çdo përvojë administrative. Me këto partneritete, tregojmë se Maqedonia e Veriut mund të ndërtojë një të ardhme digjitale që nuk i harron njerëzit”, tha Andonovski.
Drejtori ekzekutiv i Telekomit të Maqedonisë, Markoviq, në fjalimin e tij theksoi se ndër vite në vend Telekomi ka investuar 1,15 miliard euro në infrastrukturë dhe zgjidhjet inovative. Markoviqi tha se deri në vitin 2028, gjithashtu, do të investohet 40 milion euro në infrastrukturë, transformimin digjital të firmave dhe shërbimet kryesore publike, si dhe në Qendrën e të dhënave.
