Radman: Maqedonia e Veriut është e gatshme dhe e meriton anëtarësimin në BE shumë shpejt

Nga Xh M
611 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 shkurt – Maqedonia e Veriut e meriton anëtarësimin në Bashkimi Evropian dhe atë shumë shpejt, deklaroi sonte ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Kroacias, Gordan Grlić Radman, pas takimit me nikoqirin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Siç theksoi Radman, Maqedonia e Veriut është e gatshme dhe është e rëndësishme që negociatat të fillojnë, veçanërisht për shkak të qytetarëve maqedonas.

Sipas shefit të diplomacisë kroate, Kroacia e mbështet fuqishëm procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe vlerëson se vendi ka bërë shumë në këtë rrugë, si dhe mund të jetë shembull në Ballkan.

“Kujtoni para 20 e më shumë vitesh. Negociatat filluan pesë muaj më herët. Po të mos kishin ndodhur zhvillimet që ndodhën, Maqedonia e Veriut ndoshta do të ishte në BE para Kroacisë. Nëse atëherë kanë ekzistuar kushte reformuese, ato ekzistojnë edhe sot, pas 20 vitesh. Kur flasim në këtë aspekt, shohim perspektivë. Për qytetarët e Maqedonisë së Veriut është e rëndësishme, për një moment pozitiv, afirmativ dhe psikologjik, që të fillojnë negociatat me BE-në. Mendoj se në atë proces, në atë perspektivë dhe dinamikë, Maqedonia e Veriut mund të arrijë progres të madh, sepse sipas përvojës, njohurive dhe bindjes sonë, vendi është i gatshëm. Shpresojmë që shumë shpejt të krijohen kushtet për fillimin e negociatave, për çka keni mbështetjen tonë të sinqertë”, tha Radman në konferencën e përbashkët për shtyp.

Sipas tij, është shumë më lehtë për çdo vend kur është institucionalisht i përgatitur.

“Më e rëndësishmja është të fillohet. Dhe në momentin kur të fillohet, e për këtë Maqedonia e Veriut është e gatshme, mendoj se anëtarësimi do të pasojë shumë shpejt”, theksoi Radman.

Ai informoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është i shkëlqyer në të gjitha fushat dhe se nuk ka çështje të hapura. Si fusha me potencial për bashkëpunim, ai veçoi energjetikën, shëndetësinë dhe turizmin.

“Bilateralish shënojmë vetëm forcim të bashkëpunimit në ekonomi, në sektorin afarist dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Nuk kemi asnjë pengesë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë gjithçka është e hapur dhe miqësore. Do të doja që një atmosferë e tillë, siç e kanë dy vendet tona, të ekzistonte edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunimi ynë mund të jetë shembull për vendet e tjera të rajonit”, potencoi ministri kroat.

I pyetur nga gazetarët se si mund të ndihmohet Maqedonia e Veriut në raport me kontestin me Bullgarinë dhe sa e rëndësishme është mbështetja kroate në rrugën evropiane, Radman u përgjigj se Kroacia po bisedon me Bullgarinë dhe se ekzistojnë sinjale pozitive.

“Natyrisht, të gjitha vendet anëtare të BE-së janë të rëndësishme. Ne jemi gjithashtu miq të Bullgarisë dhe dëshirojmë të gjejmë një platformë për dialog dhe bashkëpunim. Është në interes të të gjithëve që të shohin anëtarësimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Ne i ndjekim proceset në rajon dhe do të bisedojmë me të gjithë, tashmë po bisedojmë me Bullgarinë dhe ka sinjale pozitive. Atje do të ketë zgjedhje, kështu që do ta kemi parasysh këtë dhe kur të formohet qeveria e re do të vazhdojmë në rrugën e mbështetjes për anëtarësim në BE. Edhe një herë theksoj se kjo është në interes të të gjithëve, si të gjithë BE-së ashtu edhe të rajonit. Maqedonia e Veriut, gjeopolitikisht, i përket BE-së. Përballemi me shumë sfida gjeopolitike dhe jetojmë në kohë kritike, me agresionin rus ndaj Ukrainës. Si BE duhet të kemi përgjigje të përbashkët, të bazuar në solidaritet, unitet dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare, gjë që forcon dhe homogjenizon BE-në, por gjithashtu duhet të nënkuptojë dinamikë më të fuqishme për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Radman.

Ministri kroat pasdite zhvilloi takim kokë më kokë me Mucunskin, pas të cilit u mbajt edhe takim bilateral ndërmjet delegacioneve të dy ministrive.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër