Prishtinë, 31 maj Zhurnal.mk – Konfirmimi i 20 rasteve pozitive me fruth ka mobilizuar prindërit që fëmijët s’i vaksinuan.
Këta të fundit, në numër shumë më të madh se muajt paraprak, të vegjlit po i dërgojnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare për vaksinim.
Kësisoj, numri i kërkesave e fëmijëve që u imunizuan deri më tani është rritur.
“Thirrjet e prindërve nga ekipet e vaksinimit, thirrjet e Instituti, thirrjet e ministrisë kanë ndikuar që numri i kërkesave të rritet vetëm gjatë këtij muaji i kemi rreth 800 fëmijë të vaksinuar krahas katër muajve tjerë që janë vaksinuar 686 fëmijë”, ka thënë Xhevrije Canolli, shefe e vaksinimit për Dukagjinin.
Canolli foli për masat që morën si njësi e vaksinimit.
“Janë të identifikuar të gjithë fëmijët që nuk janë vaksinu dhe po i kontaktojmë prindërit përmes telefonit, në mënyrë që nëse iu mungon vaksina e fruthit sa më parë t’i sjellin në Qendrat e Mjekësisë Familjare kurse ekipet mobile po i vaksinojnë fëmijët e klasës së parë dhe të gjashtë”, ka thënë Xhevrije Canolli, shefe e vaksinimit.
Institucionet shëndetësore vazhdimisht u kanë bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët për fruth dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe teorive konspirative rreth efekteve anësore të kësaj vaksine, që janë të paverifikuara shkencërisht.
