Shkup, 18 maj Zhurnal.mk – Çmimet e bukës dhe produkteve të brumit në Maqedonia e Veriut kanë shënuar sërish rritje, duke rënduar edhe më shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve. Përveç shtrenjtimit, qytetarët po ankohen edhe për uljen e peshës së produkteve, fenomen që po konsiderohet si “rritje e fshehtë” e çmimeve.
Një nga shembujt më konkretë është ai i simites (gjevrekut), e cila deri vonë kushtonte 20 denarë dhe peshonte 100 gramë, ndërsa tani shitet për 25 denarë me vetëm 80 gramë peshë.
Lidhur me këtë situatë, Televizioni 24 tentoi të marrë qëndrim nga industria e miellit, furrat dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, por asnjë prej tyre nuk pranoi të deklarohej publikisht.
Nga ana tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) paralajmëron se shporta minimale sindikale ka vazhduar të rritet edhe gjatë muajit prill, ku goditjen më të madhe po e pësojnë produktet bazë ushqimore.
Sipas Ivan Peshevski, një familjeje katëranëtarshe tashmë i nevojiten afro 69 mijë denarë në muaj për të mbuluar shpenzimet minimale, pa përfshirë qiranë e banesës.
“Të dhënat tona tregojnë se për pesë vite, kostoja e jetesës është rritur për 103 për qind, gjë që është e papërballueshme krahasuar me rritjen e pagës minimale dhe asaj mesatare. Qëndrojmë në mendimin se paga minimale duhej të ishte bërë 600 euro që dje,” deklaroi Peshevski.
