Rritja ekonomike 3,71% në tremujorin e parë, Malaj: Shqipëria mbi mesataren e BE-së

Nga D. V.
431 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Shqipëria po ngushton distancën me ekonomitë europiane, teksa rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 3.71%, duke e renditur vendin ndër ekonomitë me ritmin më të lartë të rritjes në rajon, bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj.

Sipas Malajt, Shqipëria, së bashku me Kosovën, kryeson ritmin e rritjes ekonomike në rajon, ndërsa rritja e ekonomisë në Shqipëri është ndjeshëm mbi ritmin mesatar të Bashkimit Europian, i cili në të njëjtën periudhë ishte 0,7%.

Ministri theksoi se ky rezultat lidhet me vijimin e politikave të qëndrueshme ekonomike, të cilat, sipas tij, po mbështesin investimet, aktivitetin e biznesit, punësimin dhe konsumin.

Malaj u shpreh optimist edhe për ecurinë e ekonomisë në tremujorët e ardhshëm, duke nënvizuar pritshmëritë për përshpejtim të rritjes, të mbështetur nga performanca e turizmit, investimet dhe sektorët prioritarë.

“Shqipëria dhe Kosova po udhëheqin ritmin e rritjes në rajon, ndërsa Shqipëria po ngushton me shpejtësi distancën me Europën”, deklaroi ministri i Financave.

Refereuar statistikave, Shqipëria ka lënë pas në këtë renditje Serbinë, me rritje 3,20%, Maqedoninë e Veriut me 3,1%, Malin e Zi me 3,69% dhe Bosnjë-Hercegovinën me 1,9%.

Ndërkohë, rritja mesatare ekonomike e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tremujorin e parë të vitit 2026 është 3,30%, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është vetëm 0,7%.

Performanca e ekonomisë shqiptare në tremujorin e parë vjen në një kohë kur aktiviteti ekonomik po mbështetet nga investimet, konsumi, punësimi dhe performanca e sektorëve prioritarë, veçanërisht turizmi.

Rritja prej 3,71% e vendos Shqipërinë 0,41 pikë përqindje mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor dhe 3,01 pikë përqindje mbi mesataren e BE-së, duke sinjalizuar një ritëm të fortë të ekonomisë shqiptare në fillim të vitit 2026.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër