Shkup, 01 tetor, Zhurnal.mk – Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB), në koordinim me MPB-në dhe Prokurorinë Publike, ka ndërmarrë veprime kundër një rrjeti të dyshuar propagandistik që, sipas autoriteteve, vepronte për interesa të huaja dhe shpërndante dezinformata përmes portaleve të rreme.
Më 18 shtator është kryer bastisje në shtëpinë e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se është i lidhur me faktorë të huaj që qëndrojnë pas një rrjeti portalesh të integruara në hapësirën mediatike të vendit. Gjatë kontrollit janë sekuestruar materiale që po i nënshtrohen ekspertizës.
Personi dyshohet për disa vepra penale, mes tyre nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, zbulim të sekretit zyrtar dhe shpërndarje të materialeve raciste e ksenofobike përmes sistemeve kompjuterike.
Sipas ANB-së, rrjeti përdorte portale të klonuara me domene maqedonase për të shpërndarë lajme të rreme dhe dezinformata dhe për të ndryshuar narrativat rreth ngjarjeve aktuale. Agjencia pretendon se aktivitetet ishin në funksion të interesave ruse dhe synonin, ndër të tjera, minimin e besimit në institucione dhe nxitjen e tensioneve etnike e kombëtare.
ANB njoftoi se do të vazhdojë aktivitetet për zbulimin dhe parandalimin e rrjeteve propagandistike që, sipas saj, lidhen me struktura politike proruse në rajon.
