Manastir, 14 nëntor Zhurnal.mk – Tre persona të lënduar, mbi 20 pemë të rrëzuara, automjete të dëmtuara, shtylla elektrike të rrëzuara, si dhe shembja e një pjese të vitrinës me konstruksion metalik të Drejtorisë për Mbajtjen e Librave Amë në qendër të Manastirit, është bilanci i stuhisë së djeshme me erë të fortë që përfshiu qytetin, me shpejtësi deri në 53 kilometra në orë.
Deri në orët e vona të mbrëmjes, ekipet e ndërmarrjes publike “Komunalec” punuan për sanimin e dëmeve dhe pastrimin e plotë të pemëve dhe degëve të rrëzuara. Në terren doli edhe kryetari i Komunës, Toni Konjanovski.
Nga Qendra Urgjente pranë Spitalit Klinik njoftuan se kanë pranuar dy vajza të mitura dhe një grua, të cilave u është ofruar ndihma mjekësore dhe më pas janë lëshuar për trajtim në shtëpi. Lëndimet kanë ndodhur si pasojë e shembjes së vitrinës.
Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave në Manastir bëjnë të ditur se në numrin emergjent 112 janë regjistruar vetëm dhjetë raportime. Sot, moti në Manastir është me reshje shiu dhe i qetë.

