Tetovë, 14 nëntor Zhurnal.mk – Temperaturat e ndryshueshme gjatë kësaj periudhe kanë ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në ambulancat e Spitalit të Tetovës. Sipas mjekëve, kjo rritje lidhet kryesisht me virozat sezonale, të cilat janë më të shpeshta gjatë stinës së vjeshtës.
Sipas mjekut Bekim Ismaili, më të rrezikuar nga virozat sezonale janë fëmijët, për shkak të sistemit të tyre imunitar ende të pazhvilluar plotësisht, si dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.
Ai thekson se ndër simptomat më të shpeshta janë temperatura e lartë, kollitja dhe lodhja.
“Me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe dimrit, ndryshon edhe patologjia e pacientëve që paraqiten dhe kërkojnë ndihmë në ambulancat tona. Më të prekur janë fëmijët e vegjël, të cilët kanë imunitet më të dobët, si dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Si zakonisht, në këtë periudhë kemi rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë për shkak të simptomave të virozave sezonale apo gripit”, tha mjeku Bekim Ismaili.
Krahas kujdesit ndaj simptomave të gripit, mjekët apelojnë për respektimin e masave parandaluese, veçanërisht shmangien e ambienteve të mbyllura dhe mosdërgimin e fëmijëve të sëmurë në shkolla dhe çerdhe.
Ndërkohë, sipas mjekëve, është rritur edhe interesimi i qytetarëve për vaksinimin kundër gripit sezonal.
“Personat e sëmurë duhet të tregojnë kujdes dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të mbyllura me njerëz të tjerë. Prindërit duhet të kenë kujdes që fëmijët me simptoma të mos shkojnë në shkollë apo në çerdhe. Gjithashtu, rekomandohet konsumimi i sa më shumë lëngjeve dhe çajrave të ngrohtë. Vërehet edhe rritje e interesimit për vaksinën kundër gripit sezonal. Personave që vuajnë nga sëmundje kronike, grave shtatzëna dhe punonjësve shëndetësorë u rekomandohet vaksinimi”, deklaroi Ismaili.
Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të kujdesen për shëndetin, të mos i neglizhojnë simptomat dhe të vaksinohen për të ulur rrezikun e komplikimeve nga gripi sezonal.

