Kumanovë, 14 nëntor Zhurnal.mk – Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë paralajmëron kontrolle të intensifikuara ndaj kompanive të transportit dhe shoferëve të autobusëve. Mesazhi i institucioneve është i qartë: zero tolerancë ndaj shkeljeve të ligjit, ndërsa siguria e udhëtarëve mbetet prioritet absolut.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion, SPB Kumanovë ka organizuar një takim pune me përfaqësues të kompanive të transportit, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Transportit.
Shefja e Departamentit për Parandalim në SPB Kumanovë, Lile Mladenovska, paralajmëroi kontrolle të intensifikuara dhe zbatim të rreptë të ligjit ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë rregullat. Ajo theksoi se takimi vjen pas një periudhe më të gjatë gjatë së cilës nuk ishte organizuar një takim i tillë në këtë përbërje.
“Transportuesit i dinë detyrimet e tyre ligjore. Çdo automjet, para se të dalë në rrugë, duhet të jetë teknikisht në rregull dhe të posedojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, si për shoferët, ashtu edhe për vetë kompanitë. Ky takim shërben edhe si një paralajmërim i fundit, në mënyrë që askush të mos mund të arsyetohet se nuk ka qenë i informuar”, tha Mladenovska.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues dhe inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Transportit, të cilët ua rikujtuan transportuesve detyrimet ligjore, rregullat dhe standardet që duhet të përmbushin gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
“Operatorëve të transportit do t’u shpërndahen edhe lista kontrolli, në të cilat janë të specifikuara dokumentet e nevojshme. Ato përmbajnë dokumentacionin që duhet të posedojnë për lloje të ndryshme të transportit, qoftë transport ndërkomunal, ndërkombëtar apo transport që realizohet në bazë të një marrëveshjeje të veçantë, të gjitha këto në kuadër të kompetencave tona inspektuese. Qëllimi i gjithë kësaj është rritja e sigurisë së udhëtarëve në transportin rrugor”, u shpreh Bojan Antiq nga Inspektorati Shtetëror i Transportit.
Në fokus të institucioneve do të jenë gjendja teknike e autobusëve, respektimi i rregullave të komunikacionit dhe përgjegjësia e shoferëve gjatë transportit të udhëtarëve.
Institucionet paralajmërojnë se nuk do të ketë tolerim të shkeljeve: autobusët duhet të jenë teknikisht të rregullt, shoferët të respektojnë ligjin, ndërsa siguria e udhëtarëve nuk mund të vihet në rrezik.

