Sela: VLEN i dha argument VMRO-DPMNE-së për ta sulmuar gjuhën shqipe, Badenteri të zbatohet edhe në Gjykatën Kushtetuese

Nga R.ZH
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, gjatë debatit në komisionin amë për Propozim-ligjin për përfaqësim adekuat, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar se me qëndrimet e tij ka ndihmuar në krijimin e një klime që, sipas tij, është përdorur për të sfiduar pozitën e gjuhës shqipe.

Sela tha se për afro dy vjet është zhvilluar një debat i panevojshëm rreth pretendimit se nuk ekziston Ligji për përdorimin e gjuhëve, duke vlerësuar se kjo i ka shërbyer VMRO-DPMNE-së si argument politik.

“Të bëhet debati i pakuptimtë për dy vite se nuk ka ligj për gjuhët dhe t’u jepni argumentin kryesor atyre që i kanë shpallur luftë gjuhës shqipe. Këtë e kanë thënë në fushatë, në çdo paraqitje të tyre. E bëjnë përmes Gjykatës Kushtetuese dhe në çdo germë e shkronjë të programit qeverisës, dhe kanë gjetur edhe zbatuesin”, deklaroi Sela.

Duke folur për rolin e Gjykatës Kushtetuese, ai tha se ekziston një problem serioz me mënyrën e funksionimit të saj dhe se, sipas tij, nuk është arritur të parandalohet majorizimi në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

“Jam shumë dakord që kemi problem me Gjykatën Kushtetuese. Ne nuk paska arritur ta pengojmë majorizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Badenteri ka qenë i aplikuar në Parlament dhe në organet komunale. Prandaj themi që Badenteri të aplikohet edhe në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Sela.

Sipas kreut të Lidhjes Shqiptare, zbatimi i parimit të Badenterit edhe në Gjykatën Kushtetuese do të siguronte mbrojtje më të madhe të të drejtave të komuniteteve dhe do të ishte në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër