Shkup, 22 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore, Borçe Serafimovski, realizoi sot një takim pune me ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigoler, dhe këshilltarin rajonal për bujqësi, Alexandre Martinez.
Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, sidomos në drejtim të integrimeve evropiane dhe përshtatjes me standardet dhe praktikat evropiane.
U vu në pah edhe mundësia për pjesëmarrje më të gjerë të kompanive dhe prodhuesve maqedonas në panairet franceze, me qëllim promovimin e produkteve vendore, hapjen e tregjeve të reja dhe krijimin e partneriteteve të reja afariste.
Ministri Serafimovski dhe ambasadori Le Rigoler konfirmuan angazhimin e përbashkët për vazhdimin e dialogut konstruktiv dhe zhvillimin e iniciativave konkrete me interes të ndërsjellë, të orientuara drejt modernizimit, rritjes së konkurrueshmërisë dhe promovimit ndërkombëtar të bujqësisë maqedonase.
