Tiranë, 21 Prill, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ftoi sot profesionistët shqiptarë t’i bashkohen skuadrës diplomatike në Bruksel në kuadër të objektivit Shqipëria 2030
Me anë të një postimi në rrjetin social X, Hoxha theksoi se, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, i cili ka hyrë në një fazë të avancuar, kërkon më shumë se asnjëherë angazhimin e më të mirëve, më të aftëve dhe më të përkushtuarve, për të përfaqësuar vendin tonë me profesionalizëm, integritet dhe vizion.
“Nga e thëna në të bërë: nëse besoni se përmes formimit tuaj akademik, eksperiencës profesionale, aftësive dhe shprehive, apo çdo cilësie tjetër thelbësore për profesionin e diplomatit, keni çfarë nevojitet për të qenë pjesë e skuadrës tonë në Bruksel për Shqipërinë2030, ju ftoj të klikoni më poshtë dhe të ndiqni udhëzimet për të aplikuar”, shkroi Hoxha.
Ky, shtoi Hoxha, është një moment kyç për Shqipërinë, një mundësi për të kontribuar drejtpërdrejt në një proces historik që do të përcaktojë të ardhmen europiane të vendit.
“Bëhuni pjesë e këtij rrugëtimi. Vendi dhe e ardhmja jonë kanë nevojë për çdokënd”, theksoi Hoxha.
