Shkup, 10 korrik, Zhurnal.mk – “Gjithçka që ato parti nga opozita, konkretisht BDI, SDSM, Levica, si dhe nga blloku i Ziadin Selës dhe Arben Taravarit, do ta dakordojnë dhe do ta vendosin në një tekst ligjor, ne do ta pranojmë”, tha deputeti Bojan Stojanoski nga VMRO‑DPMNE.
“Të martën u mbajt takimi i grupit punues mes koordinatorëve në Kuvend, në të cilin ne dolëm me një ofertë me qëllim tejkalimin e dallimeve që i kemi për Kodin Zgjedhor. Sot është e premte, e ende nuk kemi asnjë përgjigje për ofertën që e paraqitëm, nuk paralajmërohet asnjë iniciativë për takim mes partive opozitare”, deklaroi sot deputeti i VMRO‑DPMNE-së, Bojan Stojanoski.
“E hëna është tashmë 13 korrik, afati i fundit që e kemi si shtet për ta përmbyllur këtë qëllim që të kemi 10 nga 10 detyra të realizuara. Afati i fundit është 15 korrik, mendojmë se kjo temë është tepër serioze për t’u politizuar. Në periudhën e kaluar, konkretisht nga e marta deri sot, dëgjuam shumë deklarata nga opinioni nga shumë aktorë politikë, veçanërisht nga blloku opozitar, në të cilin kishte ide të ndryshme që sërish nënkuptojnë riafirmim të disa qëndrimeve si për financimin dhe një njësinë zgjedhore. Konkretisht, ne e thirrëm këtë konferencë për shtyp për të apeluar edhe një herë që të ulen dhe të dakordohen. Gjithçka që ato parti nga opozita, konkretisht BDI, SDSM, Levica, si dhe nga blloku i Ziadin Selës dhe Arben Taravarit, do ta vendosin në një tekst ligjor, ne do ta pranojmë.”
“Nëse konkretisht bëhet fjalë për një njësi zgjedhore, do ta pranonim atë që ata do ta dakordojnë. Për financimin e partive politike, po ashtu modelin që ata do ta dakordojnë, ne do ta pranonim; modelin për ankesat që mendojnë se duhet të inkorporohet, edhe atë do ta pranonim, për sa kohë në të është i përfshirë votimi i diasporës. Çfarë të duan, si të duan, për çfarë mendojnë se duhet të pranohet — për ne do të jetë e pranueshme; menjëherë japim mbështetje ‘blanko’, e nënshkruajmë atë zgjidhje ligjore që ata do ta dorëzojnë te ne, për sa kohë është i përfshirë votimi i diasporës.”
“Mendojmë se kemi ende kohë javën e ardhshme, deri më 15 korrik, që ta përmbyllim këtë qëllim dhe të shënojmë 10 nga 10 objektiva të realizuara. Gjithçka që ata e kanë si dallime, për të cilat thonë se në njëfarë mënyre po bllokojmë ose kemi dallime në qëndrime, nuk është e vërtetë. Edhe një herë po përsëris: gjithçka që partitë opozitare do të dakordojnë, ne do ta pranojmë ‘blanko’, për sa kohë është i inkorporuar votimi i diasporës. Mendoj se kjo mund të dakordohet menjëherë dhe tani, sepse kanë disa dallime në detaje, por gjithçka që ata e perceptojnë — qoftë një njësi zgjedhore, qoftë financimi — nuk mendoj se duhet të pritet deri të hënën.”
“Edhe një herë do ta shfrytëzoj këtë rast për të apeluar që të ulen, të dakordohen; ne jemi këtu, do ta pranojmë gjithçka, vetëm të mund ta realizojmë këtë qëllim dhe t’i mundësojmë diasporës sonë të votojë”, tha deputeti Stojanoski.
