Takim Hoxha-Rokas: Agjenda e Gjelbër dhe Kapitulli 27 në fokus të integrimeve evropiane

Nga admin
387 e lexuar

Shkup, 29 janar – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi takim me Mihalis Rokas, ambasador i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të cilin u diskutua për progresin në harmonizimin me politikat evropiane për mjedisin dhe klimën, si dhe për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimit, siç njofton MMJPH-ja, ministri Hoxha theksoi se Maqedonia e Veriut po ndërmerr përpjekje të konsiderueshme për harmonizimin e legjislacionit dhe sistemeve institucionale me të drejtën dhe politikat e Bashkimit Evropian, përmes aktiviteteve intensive ligjore, forcimit të kapaciteteve administrative dhe realizimit të investimeve të rëndësishme në infrastrukturë dhe teknologji të reja.

Theks i veçantë iu kushtua Kapitullit 27-Mjedisi Jetësor dhe Ndryshimet Klimatike, i cili përfaqëson një nga kapitujt kyç me ndikimin më të madh financiar në procesin e negociatave të anëtarësimit. Ministri theksoi se zbatimi i suksesshëm i obligimeve nuk është i mundur pa mbështetje të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian, i cili përmes programeve IPA, Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor dhe Planit të Rritjes, mbetet partner kyç i vendit.

“Bashkimi Evropian është donatori më i madh dhe aleati më i rëndësishëm i Maqedonisë së Veriut në avancimin e standardeve evropiane për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Fokusi i reformave mbetet i orientuar drejt menaxhimit të ujërave, menaxhimit të mbetjeve dhe përmirësimit të cilësisë së ajrit-fusha që kërkojnë koordinim të fortë ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, si dhe pjesëmarrje aktive të publikut”, thuhet në kumtesë.

Në kuadër të bisedës u theksua se zbatimi i Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është prioritet strategjik i Qeverisë. Ministri Hoxha rikujtoi se Qeveria ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për Agjendën e Gjelbër për periudhën 2025-2027, me ç’rast Maqedonia e Veriut u bë vendi i parë në rajon që ka një dokument të tillë të përgatitur sipas një metodologjie inovative.

Në takim u shpreh gatishmëri e përbashkët për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, me qëllim zbatimin e suksesshëm të reformave, shfrytëzimin efektiv të fondeve evropiane dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian në fushën e mjedisit jetësor dhe politikave klimatike. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër