Shkup, 22 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar se VLEN-i, sipas tij, nuk vendos për asgjë dhe se nuk është në dijeni për zhvillimet, pasi “nuk janë aty hiq”.
Në emisionin “Debat në Shenja”, Taravari u shpreh se ata “s’janë pari hiq” dhe se nuk kanë informacione për atë që ndodh. Sipas tij, sulmi shpesh përdoret si forma më e mirë e mbrojtjes dhe, siç tha, ata mund të bëjnë vetëm sulme. Ai shtoi se nuk mund të thotë që gjatë kohës së BDI-së nuk ka pasur ndikim nga Serbia ose Ballkani i Hapur.
Taravari theksoi se BDI-në e kanë dërguar bashkë në opozitë dhe se kjo, sipas tij, ka qenë një veprim shumë i mirë, duke kujtuar se tashmë janë bërë dy vjet. Ai u bëri thirrje që të veprojnë, duke thënë se nëse BDI-ja e ka sjellë Serbinë, atëherë ta largojnë nëse kanë ndikim, ndërsa shtoi se ai e di mirë “se kush s’ju pyet”.
I pyetur nëse Aleanca për Shqiptarët mund të rikthehet në Qeveri, Taravari tha se është nënçmuese të hysh sërish aty prej nga ke dalë, por nuk e përjashtoi që një gjë e tillë të ndodhë nëse arrihet një marrëveshje e re.
Ai sqaroi se kjo do të mund të diskutohej vetëm në rast se do të kishte një marrëveshje të re, ku të përfshiheshin të paktën garanci për nisjen e negociatave me BE-në dhe për ndryshimet kushtetuese. Në të kundërtën, sipas Taravarit, nuk ka asgjë për t’u diskutuar.
