Tiranë, 18 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran vlerësoi sot se në Shqipëri janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt përafrimit të mjedisit mediatik dhe informativ me standardet ndërkombëtare, ndërsa veçoi forcimin e kërkesave për transparencën e pronësisë së medias.
Tarran iu drejtua me një fjalë Konferencës për Medien në Evropën Juglindore, që po zhvillohet sot në Tiranë, organizuar nga përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, ku janë të pranishëm gazetarë, ekspertë të medias, rregullatorë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, politikbërës dhe përfaqësues të OSBE-së nga gjithë rajoni.
Sipas ambasadorit Tarran, hapësirat publike të informacionit në Evropë dhe më gjerë po transformohen me shpejtësi dhe në mënyrë të thellë.
“Vendet ku qytetarët dikur mblidheshin rreth një grupi relativisht të përbashkët faktesh po fragmentohen në mijëra realitete paralele, të nxitura nga algoritmet, të përshpejtuara nga inteligjenca artificiale dhe gjithnjë e më të cenueshme nga manipulimi. Edhe pse kontekstet mund të ndryshojnë nga një vend në tjetrin, presionet janë jashtëzakonisht të ngjashme: rënia e besimit tek institucionet, manipulimi i informacionit, zvogëlimi i pluralizmit mediatik, gjuha e urrejtjes në internet, sulmet ndaj gazetarëve dhe pasiguria në rritje mbi informacionin që mund t’i besohet”, u shpreh ambasadori Tarran.
Këto, sipas tij, “nuk janë çështje të izoluara kombëtare, por sfida rajonale me pasoja rajonale”.
Për këtë arsye, Tarran theksoi se bashkëpunimi ka rëndësi, pasi asnjë institucion nuk mund t’i adresojë i vetëm.
“Përgjigjja duhet të jetë kolektive, e bashkërenduar dhe e mbështetur në parime demokratike. Misionet e OSBE-së në të gjithë Evropën Juglindore, duke punuar së bashku me kolegët tanë në Vjenë, janë në një pozicion unik për të kontribuar në këtë përpjekje, përmes mbështetjes së lirisë së medias, forcimit të edukimit mediatik, rritjes së qëndrueshmërisë institucionale, mbështetjes së kuadrit ligjor dhe politikave, si dhe nxitjes së dialogut ndërmjet komuniteteve dhe përtej kufijve”, u shpreh ai.
Për ambasadorin Tarran, “siguria sot nuk lidhet vetëm me territorin apo infrastrukturën, por lidhet edhe me integritetin e hapësirave të informacionit ku qytetarët formojnë opinionet, marrin pjesë në jetën publike dhe bëjnë zgjedhje demokratike”.
Tarran solli në vëmendje faktin se në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së ka mandat të mbështesë një mjedis mediatik të lirë dhe të bazuar në fakte.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka krijuar një pikë kontakti për sigurinë e gazetarëve, e cila, së bashku me disa ndryshime ligjore, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së profesionistëve të medias. Do të nxisja vijimin e vëmendjes së afërt, së bashku me autoritetet përkatëse, për të garantuar ndjekje të shpejtë dhe efektive të të gjitha rasteve që prekin gazetarët”, u shpreh ai.
Po ashtu, ambasadori vlerësoi se janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt përafrimit të mjedisit mediatik dhe informativ me standardet ndërkombëtare, përfshirë përpjekjet për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe adresimin e sfidave të kahershme të qeverisjes.
Në këtë kontekst, Tarran nënvizoi se kërkesat për transparencën e pronësisë së medias janë forcuar, ndërsa shprehu njëkohësisht besimin se Autoriteti i Mediave Audiovizive do t’i zbatojë këto dispozita në frymën me të cilën janë miratuar.
Komuniteti mediatik në Shqipëri, ndonëse jo i madh në numër, sipas tij, “është i mirëinformuar, aktiv dhe luan një rol jetik në debatin publik”.
Ambasadori vlerësoi se është thelbësore që zërat e tyre të vazhdojnë të dëgjohen, të përfshihen dhe të marrin pjesë në mënyrë domethënëse në diskutimet për politikat.
“Në vitin 2025, autoritetet kombëtare identifikuan si një nga objektivat e tyre integrimin e edukimit mediatik dhe informativ në kurrikulat zyrtare arsimore. Ky është një hap i rëndësishëm dhe largpamës, të cilin Prezenca e OSBE-së po e mbështet aktivisht në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët përkatës”, shtoi ai.
Megjithëse këto zhvillime janë inkurajuese, ambasadori theksoi se “sfidat ndaj lirisë së medias në Shqipëri mbeten dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme”.
“Këto përfshijnë shqetësime që lidhen me sigurinë e gazetarëve, presionet ekonomike që ndikojnë në qëndrueshmërinë e mediave të pavarura, si dhe intimidimin dhe fushatat denigruese në internet. Nevojiten, gjithashtu, përpjekje të mëtejshme për të forcuar transparencën, pavarësinë editoriale dhe zbatimin e qëndrueshëm të mbrojtjeve ligjore, duke mbështetur njëkohësisht kushte që u mundësojnë gazetarëve të respektojnë standardet më të larta profesionale, etike dhe të raportimit të paanshëm”, tha ai.
Ndaj, sipas Tarran, angazhimi konstruktiv i vazhdueshëm i të gjithë aktorëve do të jetë thelbësor për adresimin e këtyre çështjeve në përputhje me angazhimet demokratike të Shqipërisë dhe standardet ndërkombëtare.
Ambasadori siguroi se Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë të punojë për një mjedis mediatik më të fortë.
