Tiranë, 21 prill Zhurnal.mk – Rritja e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat personale ishte një nga shtyllat kryesore që përmirësoi balancën fiskale në tremujorin e parë të vitit 2026, duke reflektuar një aktivitet ekonomik më të qëndrueshëm dhe zgjerim të bazës tatimore.
Sipas të dhënave paraprake të treguesve fiskalë, publikuar nga Ministria e Financave, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arritën në 19.6 miliardë lekë, me një rritje prej 2.2 miliardë lekësh ose 12,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa realizimi ndaj planit ishte 95,9%. Në të njëjtën linjë, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale u regjistruan në 21.8 miliardë lekë, duke u rritur me 1 miliard lekë ose 4,8% në terma vjetorë.
Ecuria e këtyre dy zërave, të lidhur ngushtë me fitimet e bizneseve dhe të ardhurat e individëve, ofron një panoramë më reale të zhvillimit ekonomik në vend. Rritja e tatimit mbi fitimin sinjalizon përmirësim të performancës së kompanive, ndërsa zgjerimi i të ardhurave personale lidhet me rritjen e punësimit, pagave dhe forcimin e formalizimit në tregun e punës.
Në tërësi, kjo performancë është reflektuar edhe në treguesit e përgjithshëm fiskalë. Të ardhurat totale për periudhën janar-mars arritën në rreth 205.1 miliardë lekë, ose 105,8% e planit, duke shënuar një rritje prej 13,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Kontributin kryesor e dhanë të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të cilat arritën në 130.6 miliardë lekë, me rritje 5,8% në terma vjetorë. Brenda tyre, administrata tatimore shënoi një performancë më të fortë, me 77.7 miliardë lekë të ardhura, ose 10,1% më shumë se një vit më parë dhe 2,9% mbi planin.
Ndërkohë, TVSH-ja neto në vend rezultoi ndër zërat me rritjen më të lartë, duke arritur në 25.2 miliardë lekë, ose 19,4% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe me një realizim prej 115,5% të planit, çka tregon zgjerim të konsumit dhe përmirësim të administrimit fiskal.
Nga ana tjetër, të ardhurat doganore u realizuan në masën 52.9 miliardë lekë, ose 95,4% e planit, me një rritje të lehtë në raport me vitin 2025. TVSH-ja në import dhe akcizat mbeten komponentët dominues, ndërsa të ardhurat nga taksat doganore shënuan rritje me 9%.
Një kontribut të qëndrueshëm dhanë edhe fondet speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat arritën në 48.3 miliardë lekë, me rritje 10,5% dhe realizim mbi plan.
Në kahun e shpenzimeve, shpenzimet publike për tremujorin e parë arritën rreth 156 miliardë lekë, ose 92,9% e planit, duke u rritur me 5,9% ose rreth 8.7 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Diferenca mes ritmit të rritjes së të ardhurave (13.3%) dhe atij të shpenzimeve (5.9%) tregon për një përmirësim të balancës fiskale në fillim të vitit, duke krijuar kështu hapësira për një menaxhim më të qëndrueshëm të financave publike në vijim të vitit.
