Tetova pa plan gjeneral urbanistik, Kasami: Brenda vitit do kemi draftin e parë

Nga Xh M
578 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 22 shkurt – Komuna e Tetovës ende nuk ka miratuar Planin gjeneral urbanistik, edhe pse kreu i komunës, Bilall Kasami premtoi se brenda 6 muajve të mandatit të parë ai do jetë gati.

Kasami tha se Plani gjeneral urbanistik është në përpilim dhe detyra projektuese është në Agjencionin për Planifikim në procedurën e miratimit.

“Dinamikën të cilën e kemi paraparë besojmë që brenda 2026 do kemi draftin e parë të dorëzuar në ministri që pastaj vazhdon koordinimi me ta për vërejtjet e tyre”, u shpreh Kasami.

Edhe Kodra e Diellit ka vite që e pret miratimin e Planit të Detajuar Urbanistik, por ai po zvaritet. Kasami arsyeton se ka interesim nga një investitor i huaj, dhe plani duhet të shihet në bazë të kërkesave dhe interesave të tij, duke shtuar se investitori nuk është kompania italiane “TechnoAlpin”, por “EMAAR Group” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Investitori nga Tiroli Lindor që është zonë në veriun e Italisë, nuk është që janë ndërprerë bisedimet. Ndërkohë, ka shprehur interes një investitor më serioz që është një nga investitorët më të rëndësishëm, bëhet fjalë për pronarin e ‘EMAAR Group’, Muhamed Alabbar, që është nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe i cili ka ardhur ka vizituar Kodrën e Diellit dhe i cili para vitit të ri diku brenda dhjetorit ka qenë në vizitën e dytë në RMV. Tani në Davos kryeministri ka pasur edhe takimin e radhës dhe ne presim projekt investues konkret nga investitori në fjalë dhe interesimin e tij për Kodrën e Diellit”, ka theksuar Kasami.

Përndryshe, edhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk e ka pranuar PDU e Kodrës së Diellit dhe ka pasur disa vëretje dhe ai i është kthyer komunës për korrigjim.

Por për invesitor të huaj ka folur edhe kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së tij në Kodrën e Diellit, tha se po bisedohet për të arritur një marrëveshje me investitorin, që do të mundësonte funksionimin e pikës turistike gjatë gjithë vitit, jo vetëm sezonit dimëror.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër