Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Pas zjarrit në rrethin e “Hekurana”-s, iniciativa qytetare “Qytet i gjelbër human” (ZHG) kërkon hetim nga Prokuroria dhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese, duke paralajmëruar për ndotje, grimca toksike dhe rrezik për shëndetin e qytetarëve, raporton DW, transmeton Zhurnal.
Sipas tyre, Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor duhet të kryejë menjëherë kontroll të jashtëzakonshëm në vendin e zjarrit, pasi konsiderojnë se qytetarëve u është rrezikuar e drejta kushtetuese për një mjedis të shëndetshëm.
“Një tym i zi i dendur nga kompleksi ‘Hekurana’ arriti deri në Novo Lisice. Zjarri i madh në ndërtesën administrative e ekspozoi Shkupin ndaj ndotjes serioze të ajrit dhe grimcave toksike”, reaguan nga iniciativa qytetare në rrjetet sociale. Ata porositën se institucionet duhet të përcaktojnë cilat masa mbrojtëse dhe parandaluese nuk janë respektuar.
“Qytetarëve u është rrezikuar e drejta kushtetuese për një mjedis të shëndetshëm. Tym i zi i madh nga një ndërtesë administrative nuk duhet të ketë. Çfarë ruhej aty?”, pyesin nga ZHG.
Ata kërkojnë përgjigje se çfarë ka djegur dhe në çfarë sasie, si dhe nga ku ka ardhur i gjithë ai tym i zi, i ngjashëm me atë nga mbetjet elektronike në Trubarevo.
“Ne kërkojmë përgjegjësi të plotë nga pronarët, si dhe angazhim dhe transparencë nga inspektoratet kompetente. Ne, qytetarët, kemi të drejtë për ajër të pastër dhe mjedis të shëndetshëm sipas nenit 43 të Kushtetutës”, thuhet në reagim, ku porositet se “katastrofa nuk duhet të fshihet dhe të mbetet pa përgjegjësi institucionale dhe penale”.
Zjarri në Hekurana dhe seria e zjarreve që këtë verë e goditën Shkupin
Zjarri shpërtheu të martën pasdite (22.09) në hapësira afariste të vendosura në rrethin e ish‑fabrikës “Hekurana” në Shkup. Tym i zi i dendur ishte i dukshëm nga shumë lokacione në qytet. Nga Brigada Territoriale e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit në terren ndërhynë 20 zjarrfikës me nëntë automjete. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njoftuan se zjarri shpërtheu në një magazinë për bojëra dhe llakë në bulevardin “Aleksandër Maqedonski” nr. 67.
Shkupi këtë verë u përball me seri zjarresh të mëdha dhe valë të shpeshta tymi të dendur, të cilat seriozisht e dëmtuan cilësinë e ajrit dhe shkaktuan erë të pakëndshme në pothuajse të gjitha lagjet e qytetit.
Sasia më e madhe e tymit që për ditë të tëra e mbyste Shkupin në fillim të shtatorit erdhi nga zjarri i madh pyjor që hyri nga Kosova pranë fshatit Graçan në Komunën e Gjorçe Petrovit. Linja e zjarrit e gjatë mbi pesë kilometra dhe era e fortë sollën tym të dendur që për ditë të tëra ndihej në Fushëgropën e Shkupit.
Në gjysmën e dytë të gushtit, erë e fortë tymi dhe hiri e përfshiu qytetin për shkak të zjarreve në malin Kitka, si dhe në komunat Studeniçan dhe Zelenikovë. Era e fortë e solli tymin direkt mbi Shkup, duke shkaktuar nivele të larta të ndotjes së ajrit.
Shkupi u godit edhe nga shumë zjarre ku digjej bar i thatë, stërnishta dhe mbeturina, ndërsa zjarret pranë tregut me shumicë në Gazi Babë dhe pranë Stenkovecit e mbytën edhe më shumë ajrin.
