Tiranë, 21 Prill, Zhurnal.mk – Ish-kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë në lidhje me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që e dënoi me 1 vit heqje lirie.
Memolla ka kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme. Ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës u dënua me 1 vit burg për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.
Vendimi u mor në shkurt të këtij viti nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare). Gjithashtu u la në fuqi vendimi për heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për Edison Memollën për një periudhë 5-vjeçare.
Hetimet për kryebashkiakun nisën pas publikimit në media të një audiopërgjimi ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, teksa ndikon tek një elektriçist për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Për Prokurorinë e Posaçme, e gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022.
