Uji në Gostivar ende i pasigurt për konsum

Nga Xh M
905 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gostivar, 10 gusht Zhurnal.mk – Në Gostivar vazhdon të jetë në fuqi ndalesa për përdorimin e ujit për pije. Ndërkohë, autoritetet lokale vijojnë me masat për furnizimin e qytetarëve me ujë, në pritje të konfirmimit se uji nga rrjeti është i sigurt për konsum. Nga Shtabi Lokal i Krizës bëjnë të ditur se furnizimi me ujë teknik po realizohet në katër zona të qytetit, ndërsa uji i pijshëm i ambalazhuar vazhdon të shpërndahet në pesë pika të përcaktuara. Zudi Xhelili nga Shtabi Lokal i Krizës bëri të ditur se përveç nevojave të banorëve, me ujë teknik po furnizohet edhe shërbimi i dializës.

“Shtabi lokal i krizës merret me distribuimin e ujit teknik për katër vendbanime, siç janë fshati Debresh, fshati Bellovisht, lagja Fasaneri dhe lagja Tullana. Kështu që përveç këtij ujin teknik e furnizojmë edhe dializën, ndërsa pikat për shpërndarje të distribuimit të ujit të pijshëm janë të njëjtat. Domethënë një sasi vjen nga ana e qeverisë, një sasi vjen nga organizatat e ndryshme shoqërore, kompani private, biznesi.” – Zudi Xhelili, Shtabi lokal I krizës.

Ndërkohë, sipas informacioneve të fundit nga analizat laboratorike, situata me cilësinë e ujit po përmirësohet. Parametrat fiziko-kimikë dhe biologjikë, sipas Shtabit lokal të krizës, kanë rezultuar pozitivë, ndërsa priten edhe rezultatet përfundimtare që do të përcaktojnë nëse uji mund të përdoret për konsum.

“Dhe gjithashtu jemi duke pritur rezultatet e fundit që kanë dalë të mira si nga sasia e klorit, ashtu edhe nga aspekti i rezultateve në aspektin biologjik janë të mira dhe presim që ditët në vijim uji të jetë i pijshëm nga sistemi i furnizimit, Ujësjellësi Gostivar, dhe të rritet sasia e ujit për vendbanimet që e kanë ka presion më të ulët gjatë ditës, ndërsa pak ka furnizim natën.” – Zudi Xhelili, Shtabi lokal I krizës.

Megjithatë, deri në një vendim zyrtar nga institucionet kompetente, qytetarët e Gostivarit duhet të vazhdojnë ta respektojnë rekomandimin për të mos e përdorur ujin e ujësjellësit për pije. Ndërkohë, furnizimi alternativ me ujë do të vazhdojë në zonat e prekura, derisa të konfirmohet zyrtarisht se uji nga sistemi i ujësjellësit është i sigurt për konsum.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër