Shkup, 12 maj, Zhurnal.mk – VLEN në një komunikat për media ka prezantuar vizionin e saj të ri për decentralizimin dhe pushtetin lokal, duke theksuar se demokracia fillon aty ku qytetari jeton dhe përballet çdo ditë me sfidat reale – në komunë, lagje, shkollë dhe në shërbimet publike që i përdor.
Sipas VLEN-it, decentralizimi zë vend qendror në programin politik të koalicionit dhe synon t’u japë komunave autonomi më të madhe vendimmarrëse, decentralizim fiskal dhe kompetenca të qarta për të përcaktuar prioritetet zhvillimore lokale.
Nga koalicioni theksojnë se komunat duhet të kenë më shumë mjete financiare dhe rol më të fuqishëm në zhvillimin ekonomik lokal, bashkëpunimin ndërkufitar si dhe në menaxhimin e arsimit fillor dhe të mesëm.
Si shembull konkret i këtij vizioni, VLEN përmend projektin strategjik Tetovë–Prizren, për të cilin thotë se do të forcojë lidhjet infrastrukturore, ekonomike dhe zhvillimore mes qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Në reagimin e tyre, VLEN ka kritikuar ashpër qeverisjet e mëparshme lokale shqiptare, duke i akuzuar për keqmenaxhim dhe mungesë zhvillimi në komunat ku kanë udhëhequr.
“Këta që shiten si patriotë asnjëherë nuk e kishin dert decentralizimin. Ishin të zënë me hajni. Prandaj kudo që udhëhoqën lanë pas katrahurë, komuna pa ujë, pa zhvillim dhe pa shërbime normale. Shqiptarët e panë këtë mashtrim dhe i përzunë me votë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga koalicioni shtojnë se synojnë të hapin një kapitull të ri për pushtetin lokal, ku komunat nuk do të trajtohen si “plaçkë politike”, por si institucione funksionale në shërbim të qytetarëve.
“VLEN angazhohet për një fazë të re të decentralizimit, ku pushteti lokal do të jetë bartës i zhvillimit. Ky është dallimi mes politikës që flet dhe politikës që punon”, theksojnë nga VLEN.
