Shkup, 04 qershor, Zhurnal.mk – Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është dhuratë politike. Është parim kushtetues, i dalë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, dhe një nga themelet e karakterit multietnik të shtetit tonë. Për gati 23 vite kjo çështje mbeti pa ligj të veçantë. Arsyet i dimë. Kishim arnime, mekanizma të përkohshëm dhe interpretime të ndryshme, por asnjëherë ligj.
Pas shfuqizimit të balancuesit nga Gjykata Kushtetuese, u bë e qartë se vendi nuk mund të vazhdonte më me zgjidhje gjysmake. Balancuesi ishte vetëm vegël, ndërsa përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues. Vegla mund të zëvendësohet, por parimi nuk mund të hiqet.
Prandaj, VLEN këtë çështje e vendosi si një nga kërkesat kryesore që në bisedimet për formimin e Qeverisë. Sot, me krenari mund të themi se për herë të parë, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po vendoset në ligj.
Ky është hap historik, avancim i Marrëveshjes së Ohrit, por edhe përgjigje serioze ndaj boshllëkut institucional që u krijua pas shfuqizimit të balancuesit. Ky ligj sjell disa zgjidhje të rëndësishme. Së pari, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat bëhet detyrim ligjor për institucionet. Nuk do të varet më nga vullneti i një drejtori, i një ministrie apo nga interpretimi i dikujt. Së dyti, vendoset mekanizëm qeveritar për ndjekjen e zbatimit të ligjit. Trupi koordinues, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, do të mbledhë të dhëna, do të monitorojë gjendjen dhe do të raportojë para Qeverisë.
Së treti, ligji mbështetet në të dhëna reale: në regjistrimin e fundit të popullsisë, në gjendjen reale të institucioneve dhe në nevojat konkrete për punësime.
Së katërti, ligji e mbron vetëdeklarimin e lirë, por e ndalon keqpërdorimin e tij. Askush nuk mund ta përdorë identitetin etnik si manovër për të fituar vend pune. Nëse konstatohet keqpërdorim, kandidati refuzohet dhe nuk mund të aplikojë në konkurse për tre muaj.
Së pesti, ligji parashikon që organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike, në të gjitha nivelet, të ndërmarrin masa të përshtatshme, proporcionale dhe të justifikuara në kohë, me qëllim sigurimin e barazisë së plotë dhe efektive të qytetarëve, për të respektuar, afirmuar, avancuar dhe mbrojtur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive.
Të nderuar qytetarë,
Ky ligj nuk është vetëm ligj i VLEN-it. Ai prek karakterin multietnik të shtetit dhe të gjitha bashkësitë që duhet të ndihen të përfaqësuara në institucionet e vendit.
Pikërisht për këtë arsye, vlerësojmë se ky ligj duhet të ketë legjitimitet të plotë ndëretnik dhe të miratohet me shumicë të Badenterit.
Prandaj, për sot në ora 10:30 kam thirrur seancën e Komitetit për Marrëdhënie mes Bashkësive, me kërkesë që ky propozim-ligj të përfshihet në listën e ligjeve që miratohen me shumicë të Badenterit.
Në fund, u bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe të gjithë deputetëve që ta mbështesin këtë propozim-ligj. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është çështje që i përket një partie politike, por vlerë themelore e rendit kushtetues dhe interes shtetëror.
