VLEN: Nisin punimet për autostradën Shkup–Bllacë

Nga D V
586 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 gusht, Zhurnal.mk – Pas më shumë se një dekade premtimesh dhe paralajmërimesh, sot zyrtarisht kanë nisur punimet për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, një projekt i rëndësishëm për lidhjen infrastrukturore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga Partia VLEN, e cila e cilëson këtë projekt si një nga arteriet më të rëndësishme infrastrukturore për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën.

Sipas VLEN-it, ndërtimi i kësaj autostrade për më shumë se një dekadë ka qenë pjesë e premtimeve dhe planeve të ndryshme politike, ndërsa projekti disa herë është paralajmëruar dhe përfshirë në buxhetet shtetërore pa u realizuar në praktikë.

Nga partia thonë se nisja e punimeve shënon kalimin nga faza e premtimeve në realizimin konkret të projektit.

Autostrada Shkup–Bllacë pritet të ketë rëndësi për përmirësimin e lidhjes rrugore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe për lehtësimin e qarkullimit, zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e tregjeve dhe komuniteteve.

Në njoftimin e saj, VLEN i ka kushtuar rëndësi edhe simbolikës së datës së nisjes së punimeve, e cila përkon me ditëlindjen e Nënë Terezës, e lindur në Shkup.

“Rrugët nuk janë vetëm asfalt dhe beton. Rrugët janë lidhje. Janë ura mes njerëzve, kulturave, ekonomive dhe mundësive”, thuhet në njoftimin e Partisë VLEN.

Njoftimi përfundon me mesazhin: “Të gjitha rrugët çojnë në Bllacë!”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër