Shkup, 19 qershor, Zhurnal.mk – VLEN ka përshëndetur miratimin në Kuvend të ndryshimeve dhe plotësimeve të Statutit të Universitetit “Nënë Tereza”, duke e cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm në zhvillimin e universitetit publik në gjuhën shqipe dhe në avancimin e arsimit të lartë në vend.
Sipas VLEN-it, ndryshimet e miratuara forcojnë kapacitetet institucionale të universitetit, zgjerojnë ofertën akademike dhe krijojnë mundësi të reja për studentët shqiptarë, por edhe për të gjithë të rinjtë që zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes arsimit cilësor.
“Ky vendim forcon kapacitetet institucionale të universitetit, zgjeron ofertën akademike dhe krijon mundësi të reja për studentët shqiptarë dhe për të gjithë të rinjtë që zgjedhin ta ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes dijes dhe arsimit cilësor”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Koalicioni thekson se me ndryshimet statutore, Universiteti “Nënë Tereza” avancon strukturën e tij akademike përmes krijimit të Fakultetit Juridik, Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Shkencave Humane, duke u shndërruar në një institucion edhe më të fuqishëm të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional.
Njëkohësisht, sipas VLEN-it, ndryshimet forcojnë edhe dimensionin ndërkombëtar të universitetit, përmes harmonizimit të standardeve akademike dhe mundësisë për lëshimin e diplomave në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze.
“Ky zhvillim rrit mundësitë për mobilitet akademik dhe konkurrueshmëri të studentëve në tregun evropian të punës”, vlerëson koalicioni.
VLEN rithekson se arsimi mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit kombëtar, ndërsa investimi në Universitetin “Nënë Tereza”, sipas tyre, është investim në rininë, dijen, profesionalizmin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në reagim, koalicioni bën edhe një krahasim me periudhat e mëparshme, duke theksuar se “24 vite u fol për avancimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe, ndërsa sot, për 24 muaj me vendime konkrete, po ndërtohen institucione më të forta, më funksionale dhe më të përgatitura për sfidat e së ardhmes”.
