Vlojnë shumë akuzat e kundër-akuzat midis LSDM e VMRO-DPMNE

Nga D. V.
546 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 Maj, Zhurnal.mk – Të dy partitë maqedonase kundërshtare po i vazhdojnë me ritëm të shtuar akuzat e kundër-akuzat ndaj njëra tjetrës.
LSDM opozitare sot e akuzoi VMRO-DPMNE dhe kreun e saj Hristijan Mickoski për “izolim” të vendit.

Partia opozitare e akuzoi Mickoskin pse në përbërje të qeverisë së tij e ka ministrin Serb, i cili është hapur pro-Putin.

“Ndërsa NATO dhe Bashkimi Evropian paralajmërojnë hapur për kërcënimet hibride, ndikimin rus dhe një “botë serbe” në Ballkanin Perëndimor, Mickoski dhe grupi i tij kriminal vazhdojnë ta shtyjnë Maqedoninë drejt izolimit dhe axhendave të huaja. Zëvendëskryeministri Stoiljkovic, ndihmësi më i lartë i Mickoskit, mburret publikisht për lidhjet e tij me Rusinë dhe “Ujqërit e Natës” të Putinit,” tha LSDM sot në një komunikatë.

Sipas LSDM Mickoski “nuk e do BE-në sepse BE do të thotë drejtësi, gjyqësor i pavarur dhe fund i krimit.”

“Maqedonia nuk është një kalë i Trojës. Maqedonia është një vend evropian. Reformat tani. Evropa tani,” tha LSDM në komunikatën e parë.

Në të dytën, partia opozitare ritheksoi thirrjen ndaj qeverisë së Mickoskit për të bërë kërkesën tek qeveria e re e Hungarisë për ekstradim të Nikola Gruevskit.

“Ata sillen sikur po na mbrojnë, sikur nuk e dinë, sikur nuk është puna e tyre. Dhe ne të gjithë e dimë se është puna e tyre – dhe se ata qëllimisht po e mbrojnë Gruevskin. Pse? Sepse Gruevski nuk është një i arratisur i zakonshëm. Ai është një monument i gjallë i krimeve të VMRO-së. Nëse Gruevski bie, bie i gjithë rrjeti. Nëse Gruevski bie, bie edhe Mickoski,” sipas LSDM-së.

“Mjaft me lojërat. Mjaft me mashtrimet. Dërgojini menjëherë dokumentet e ekstradimit Gruevskit!,” kërkoi partia opozitare.

VMRO-DPMNE ia ktheu LSDM-së me kundërakuza.

”SDS dhe Venko Filipce në disa deklarata akuzojnë VMRO-DPMNE-në për serbofili, në të tjera për bullgarofili, dhe në të njëjtën kohë kriminelët dhe tradhtarët Zoran Zaev dhe Venko Filipce me dokumente qëndrimi dhe viza të arta nga Dubai,” tha partia e Mickoskit, duke e akuzuar partinë opozitare të jetë e afërt me qeverinë e re në bullgari të Rumen Radevit.

“Natyrisht, Venko Filipçe është një shërbëtor servil i Zoran Zaevit, dhe Zaevi ia dha me qira SDS-në Rumen Radevit. Meqenëse kishte dëshmi të drejtpërdrejta nga Bullgaria se Zaevi mori para nga Sofja, dhe në këmbim premtoi biseda të përgjuara, me të cilat tregtonte para se të bëhej kryeministër, dhe premtime për biznese të tjera, tani është shumë e mundshme që Zaevi e përdori Sofjen për të pastruar kapitalin e fituar në mënyrë kriminale, për të cilin u shantazhua dhe tani po punon për Bullgarinë,” tha VMRO-DPMNE, duke menduar në thirrjet e LSDM-së për ndryshim të kushtetutës për bashkësinë bullgare.
Madje partia në pushtet përdori edhe fjalor ofendues ndaj Zaevit dhe kreut të LSDM-së, Venko Filipçe.

“Presionet nga SDS për të pranuar diktatet bullgare nuk janë gjë tjetër veçse një mënyrë për të shantazhuar tradhtarët dhe horra të shantazhuar, Zaevin dhe Filipçen. Këta horra të shantazhuar tani duan ta gjunjëzojnë Maqedoninë me tradhti të reja. Kjo është arsyeja pse VMRO-DPMNE ka rëndësi, dhe VMRO-DPMNE do të vazhdojë të jetë një mbrojtje kundër politikave të pabesë të Zaevit dhe Filipçes,” tha VMRO-DPMNE.
Në një komunikatë tjetër, poashtu sot, VMRO-DPMNE akuzoi Filipçen, Zaevin dhe kreun e BDI-së Ali Ahmeti të kenë ende ndikim tek prokurori Islam Abazi.

“Islam Abazi, kreu i Prokurorisë Publike GOKK, lëshoi një urdhër skandaloz për të ndaluar hetimin në rastin e furnizimit me naftë për nevojat e TEC-it të Negotinës, me vlerë 167 milionë euro. Kuadri i Venko Filipçes dhe Zoran Zaevit, fqinj i Ali Ahmetit nga Zajasi, po e përmbush pozicionin që u është dhënë dhe po i mbronë kriminelët e SDS-së dhe BDI-së nga përgjegjësia për krimet miliona me të cilat, përveçse u pasuruan në kurriz të shtetit, helmuan edhe qytetarët,” akuzoi VMRO-DPMNE.

Sipas partisë së Mickoskit, ndalimi i hetimeve në këtë rast u bë me kërkesë të kreut të LSDM dhe të BDI.

“Me urdhër të treshes Filipçe, Zaev dhe Ahmeti, Abazi e ndërpreu procedurën në të cilën, ndër të tjera, të dyshuar kryesorë ishin anëtari i SDS-së dhe i arratisur nga drejtësia Vasko Kovaçevski, djali i deputetit të BDI-së, Asmir Jahoski dhe Ratko Kapushevski. Kur prokuroria e Abazit thotë se nuk ka gjetur prova për sjellje të paligjshme, a u duhen atyre më shumë prova dhe një tregues më i fortë i një krimi të kryer sesa arratisja nga drejtësia e të dyshuarit Vasko Kovaçevski? Kovaçevski u largua nga Maqedonia në fund të vitit 2024 dhe që atëherë nuk është i disponueshëm për agjencitë e zbatimit të ligjit, dhe në vend që të ishte një motiv dhe tregues shtesë për prokurorinë që ta ndiqte këtë çështje, për prokurorin Abazi kjo u bë një zgjidhje për ta mbyllur çështjen,” tha VMRO-DPMNE. / Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër