VMRO-DPMNE: Pendarovski të shpjegojë lidhjen e tij me objektin në Vllae

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor, Zhurnal.mk – VMRO-DPMNE i ka bërë thirrje ish-presidentit Stevo Pendarovski që publikisht të sqarojë se çfarë lidhjeje ka me objektin në lagjen Vllae të Shkupit, për të cilin, sipas partisë, ai vetë ka pranuar se është në pronësi të bashkëpunëtorit të tij të afërt, Erold Musliu.

Nga VMRO-DPMNE ngrenë dilema lidhur me origjinën e mjeteve të investuara në ndërtimin e objektit, gjendjen pasurore të Musliut dhe mundësinë e ekzistimit të konfliktit të interesit.

Partia pyet nëse të ardhurat e paraqitura dhe pasuria e Musliut korrespondojnë me vlerën e investimit, nëse janë deklaruar të gjitha interesat e tij afariste dhe nëse ekzistojnë lidhje të palejuara nga periudha kur ai ka ushtruar funksion publik.

VMRO-DPMNE kërkon që edhe vetë Musliu të shpjegojë burimin e mjeteve me të cilat po financohet ndërtimi, ndërsa institucionet kompetente të kontrollojnë dokumentacionin, financimin dhe ligjshmërinë e investimit.

Sipas partisë, Prokuroria Publike dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit duhet ta hetojnë rastin dhe të konstatojnë nëse ekziston konflikt interesi ose ndërlidhje me aktivitetet e mëparshme zyrtare të Musliut.

“Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse personat që kanë ushtruar funksione të larta publike mund ta justifikojnë pasurinë e tyre me të ardhura të fituara në mënyrë të ligjshme. Nuk ka të paprekshëm. Nuk ka të privilegjuar. Ligjet duhet të vlejnë njësoj për të gjithë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

artikuj të ndërlidhura