Shkup, 9 shkurt – Mbrëmjen e sotme u mbajt mbledhja e parë e rregullt e përbërjes së re të Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, në të cilën u morën disa vendime që lidhen me organizimin e brendshëm dhe përforcimin e strukturave partiake.
Në kuadër të rifreskimeve kadrovike, Komiteti Ekzekutiv vendosi të shpallë konkurse për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të Unionit të Forcave të Rinisë, Unionit të Grave dhe Unionit të Veteranëve, si dhe të organizojë zgjedhje për kryetarët e të gjitha komiteteve komunale të VMRO-DPMNE-së.
Gjatë mbledhjes u zgjodhën edhe disa kryetarë të komisioneve partiake. Sasho Klekovski u emërua kryetar i Komisionit për Shëndetësi, Blagoja Tashaminov kryetar i Komisionit Kadrovik, Pançe Toshkovski kryetar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, ndërsa Akkan Mahmut u zgjodh kryetar i Komisionit për Turizëm.
Po ashtu, për kryetar të Komitetit të Qytetit të VMRO-DPMNE-së në Shkup u zgjodh Zlatko Perinski.
Nga partia theksuan se këto vendime janë pjesë e ndryshimeve të reja dhe se, siç u shprehën, do të vazhdojnë të dëgjojnë zërin e anëtarësisë me synimin për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët.

