Sofje, 16 shkurt – Një bazë sekrete e grupit paraushtarak rus “Vagner” thuhet se është zbuluar në fshatin Kladnica në jug të Bullgarisë, rreth 50 kilometra nga kufiri me Serbinë, përkatësisht pak më shumë se 100 kilometra nga kufiri me Maqedoninë. Zbulimin e ka bërë publik shoqata bullgare BOEC, e cila pretendon se bëhet fjalë për një objekt të vogël në zonë malore, i ruajtur rreptësisht dhe që, sipas tyre, mund të përdoret për aktivitete terroriste, shkruan Blic.rs transmeton Zhurnal.mk
Objekti është i vështirë për t’u arritur, pasi ndodhet në terren të pakalueshëm. Rreth tij ka sigurim, përfshirë edhe qen roje. Sipas shoqatës, personat që lëvizin në afërsi mbajnë rroba dhe kapele me simbole të “Vagner”-it, ndërsa një pjesë e tyre janë të armatosur.
Në vetë objektin, siç thuhet, janë vendosur flamuri rus dhe emblema e grupit. Një përfaqësues i BOEC ka deklaruar se bëhet fjalë për një organizatë të lidhur me shërbimet speciale ruse. Shoqata menjëherë e ka njoftuar Ministrinë e Brendshme të Bullgarisë, duke theksuar praninë e personave të armatosur, simbole të një organizate nën sanksione ndërkombëtare dhe lidhje të mundshme me struktura sigurie.
BOEC vlerëson se prania e personave të tillë paraqet kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe ka kritikuar reagimin e pretenduar të pamjaftueshëm të institucioneve.
Kush është “Vagner”
Grupi “Vagner” është një organizatë private paraushtarake ruse. Udhëheqësi dhe, sipas shumë burimeve, themeluesi i saj ishte Jevgenij Prigozhin, i cili vdiq në një aksident ajror në vitin 2023. Ekzistojnë edhe të dhëna se grupin e ka themeluar Dmitrij Utkin, ish-oficer i shërbimit ushtarak të zbulimit rus.
Informacionet e para për aktivitetet e grupit u shfaqën në vitin 2014 gjatë konfliktit në Ukrainë. Në vitin 2023 vlerësohej se grupi kishte rreth 50.000 luftëtarë.
“Vagner” është nën sanksione ndërkombëtare. Në disa shtete është shpallur organizatë terroriste, ndërsa në të tjera grup kriminal. Shpesh lidhet me shkelje serioze të të drejtave të njeriut.
Aktivitetet jashtë Ukrainës
Përveç në Ukrainë, grupi ka vepruar edhe në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme – në vende si Mali, Libia, Siria dhe Republika e Afrikës Qendrore. Atje është akuzuar për pjesëmarrje në dhunë ndaj civilëve, si dhe për shfrytëzim të burimeve natyrore përmes kompanive të lidhura me të.
