Nga: Emilia Pardo Bazán
Përktheu: Bajram Karabolli
Një pasdite, duke shëtitur nëpër rrugët e qytetit, pashë një objekt të kuq në tokë. Dola nga makina: ishte një zemër e gjallë e përgjakur, të cilën e mora me kujdes. “Duhet ta ketë humbur ndonjë grua”, mendova, duke vëzhguar bardhësinë dhe delikatesën e atij organi delikat, i cili, me prekjen e gishtërinjve të mi, pulsonte sikur të ishte ende brenda gjoksit të pronarit të vet. E mbështolla me kujdes me një copë të bardhë dhe e futa në gji për ta mbajtur ngrohtë. Pastaj fillova të zbuloja se kush ishte ajo grua që kishte humbur zemrën në rrugë. Për të hetuar më tej atë grua, kërkova dhe gjeta disa syze të mrekullueshme, të cilat më lejonin të shihja të brendshmet e trupit të saj. Pra, të kontrolloja vendin ku ndodhej zemra.
Sapo vura ato syze magjike, shikova me padurim gruan e parë që kaloi andej dhe – oh, o Zot! – gruaja nuk kishte zemër. Ajo me siguri duhet të ishte pronarja e zemrës që gjeta. Por, kur i tregova se kisha gjetur zemrën e saj dhe po e ruaja me kujdes që ta merrte, nëse donte, mbeta e habitur nga sjellja e saj: ajo, e indinjuar, duke folur me zë të lartë, u betua se nuk kishte humbur asgjë; se zemra e kishte aty, te vendi i saj, ku e kishte gjithmonë, ja tek e ndjente që po i rrihte, duke marrë dhe duke nxjerrë gjak. Duke parë kokëfortësinë e asaj gruaje, e lashë dhe iu drejtova një gruaje tjetër, të re, të bukur, joshëse dhe të gëzuar. O Zot i madh! Në gjoksin e saj të bardhë pashë të njëjtën zgavër, të njëjtën vrimë rozë, pa asgjë brenda, asgjë fare. Edhe ajo nuk kishte zemër! Dhe kur i ofrova me respekt zemrën që kisha gjetur, edhe ajo nuk pranoi aspak ta merrte. Madje, u ofendua i rëndë të mendoje se paskësh qenë aq e pakujdesshme sa mund ta kishte humbur zemrën në rrugë, pa e vënë re.
Dhe qindra gra kaluan, të moshuara dhe të reja, të bukura dhe të thjeshta, me flokë të zinj apo të kuq, melankolike apo të gëzuara; dhe, me syzet e mia, i shqyrtova të gjitha. Dhe, te secila vura re se vendin e zemrës e kishin bosh. Dukej qartë që organi i zemrës ose nuk kishte ekzistuar kurrë ose kishte humbur shumë kohë më parë. Dhe të gjitha, pa përjashtim, kur u përpoqa t’u ktheja zemrën që u mungonte, refuzuan ta pranonin: ose besonin se e kishin te vendi i saj, ose e ndiheshin plotësisht mirë pa të. Kësisoj, ndiheshin të ofenduara nga oferta dhe nuk guxonin ta merrnin, pasi e quanin gjë të rrezikshme zotërimin e një zemre. Isha e habitur dhe dëshpëruar për mungesën zemrës në gjoksin e një gruaje. Kur, rastësisht, me ndihmën e lentave të mia të mrekullueshme, pashë një vajzë të vogël, të zbehtë, duke kaluar në rrugë, dhe, më në fund, në gjoksin e saj dallova një zemër, një zemër të vërtetë prej mishi, që, duke rrahur, hidhej e kërcente. Nuk e di, por ishte absurde t’i ofroja një zemër dikujt, që kishte një zemër aq të gjallë dhe aq të shkathët. Por, gjithsesi, ia ofrova. Dhe ja, vajza, në vend që të më refuzonte mua si të tjerët, e mori zemrën që i ofrova, hapi gjoksin dhe e vendosi atje zemrën që i dhashë, zemrën, të cilën po bëhesha gati ta lija përsëri atje ku e kisha gjetur, mbi guralecë.
E pasuruar me dy zemra, vajza e zbehtë u bë edhe më e zbehtë: emocionet, sado të parëndësishme, e tronditën deri në palcë; dashuritë vibronin brenda saj me intensitet mizor; miqësia, dhembshuria, trishtimi, gëzimi, dashuria, xhelozia – gjithçka tek ajo ishte e thellë dhe e tmerrshme; dhe vajza budallaqe, në vend që të vendoste të shuante njërën nga dy zemrat e saj, ose të dyja menjëherë, dukej se kënaqej duke jetuar një jetë të dyfishtë shpirtërore, duke dëshiruar, shijuar dhe vuajtur dy herë, duke grumbulluar përshtypje të llojit që janë të mjaftueshme për të shuar jetën. Krijesa ishte si një qiri i ndezur në të dyja anët, që po konsumohej e zvogëlohej në pak çaste. Dhe me të vërtetë, ajo u katandis në pak gjë. E shtrirë në shtratin e vdekjes, e mavijosur dhe aq e dobësuar, saqë i ngjante një zogu të vogël, mjekët erdhën dhe deklaruan se ajo që po e merrte nga kjo botë ishte një aneurizëm, një lodhje deri në këputje. Mjekët ishin aq të paaftë sa askush prej tyre nuk mundi ta dallonte të vërtetën: askush nuk e kuptoi se vajza po vdiste për shkak të pakujdesisë së dhënies së strehës në gjoksin e saj një zemre të humbur në rrugë.
