Znam refuzon Bujqësinë, në këmbim të Drejtësisë kërkon MPB ose Mbrojtjen

Nga Xh M
1,721 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 qershor Zhurnal.mk – Koalicioni qeveritar në Maqedoninë e Veriut po përballet me vështirësi në negociatat për rikonstruimin e Qeverisë, pasi takimi i parë mes përfaqësuesve të ZNAM-it të Maksim Dimitrievskit dhe kryeministrit Hristijan Mickoski ka përfunduar pa marrëveshje konkrete.

Sipas burimeve, ZNAM ka refuzuar ofertën për të lëshuar Ministrinë e Drejtësisë në këmbim të Ministrisë së Bujqësisë, duke insistuar se resorët që i janë ndarë me marrëveshjen fillestare për hyrjen në ekzekutiv duhet të mbeten nën drejtimin e saj. Gjatë takimit, që ka zgjatur rreth katër orë në selinë e ZNAM-it, përfaqësuesit e kësaj partie kanë kërkuar një resor më të fuqishëm, si Ministria e Punëve të Brendshme ose ajo e Mbrojtjes, por ky propozim nuk është pranuar.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve fillestare, burime nga shumica qeveritare vlerësojnë se ndryshimet në ndarjen e resorëve janë vetëm çështje kohe dhe se negociatat do të vazhdojnë gjatë fundjavës, me synimin që marrëveshja të finalizohet deri më 1 korrik.

Në skenarin që po diskutohet, Ministria e Bujqësisë pritet t’i kalojë ZNAM-it, ndërsa Ministria e Drejtësisë do të merret nga një kuadër i koalicionit shqiptar VLEN. ZNAM, megjithatë, mbetet në qëndrimin se duhet të ruajë Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Administratës Publike, si pjesë e marrëveshjes fillestare me partnerët qeveritarë.

Në të njëjtën kohë, VMRO-DPMNE dhe VLEN thuhet se kanë harmonizuar pjesën më të madhe të rotacioneve ministrore. Sipas formulës që po përgatitet, VMRO-DPMNE do të marrë drejtimin e ministrive të Shëndetësisë, Politikës Sociale dhe Eurointegrimeve, ndërsa VLEN do të udhëheqë Ministrinë e Drejtësisë, Sportin, Kulturën dhe Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Ndryshime priten edhe në poste të tjera të rëndësishme qeveritare, përfshirë zëvendëskryeministrat dhe Ministrinë e Sistemit Politik. Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka bërë të ditur se sapo ekzekutivi ta dorëzojë propozimin për përbërjen e re qeveritare, ai do të procedohet menjëherë në Kuvend.

Për shkak të numrit të madh të ministrave që pritet të zëvendësohen, në skenë mbetet edhe mundësia që votimi parlamentar të zhvillohet sipas procedurës që përdoret për zgjedhjen e një qeverie të re, çka do t’i jepte rikonstruimit peshë më të gjerë politike sesa një ndryshim i zakonshëm kabineti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër