Pusteci në fokusin e Shkupit zyrtar! Kampet e emigrantëve ngjallin reagime te komuniteti maqedonas

Nga B.M
436 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 janar – Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se Qeveria e Maqedonisë nga afër është duke i ndjekur ndodhitë në Bashkinë e Pustecit në Shqipëri, e ku Qeveria shqiptare ka paraparë ngritjen e tre kampeve të migrantëve – gjë e cila ka ngjallur reagime të komunitetin maqedonas që jeton në këtë zonë.

“Absolutisht nga afër i ndjek të gjitha ndodhitë. Ne ndihmojmë në kuadër të mundësive tona, por kjo duhet bërë më shumë kujdes, që të mos duket se përzihemi në punët e brendshme të një shteti fqinj, ashtu siç ne nuk duam të na përzihen, ashtu as ne nuk duhet të përzihemi. Kështu që maqedonasit e Pustecit, dhe jo vetëm, përgjithësisht në shtetet përreth dhe diaspora maqedonase absolutisht këtë Qeveri e ka partner dhe aleat serioz dhe mua personalisht”, tha në Click Plus të TV21 Hristijan Mickoski – kryeministër i RMV-së.

TV21 u përpoq të marrë qëndrim mbi këtë temë edhe nga Ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu, që ndodhet në vizitë zyrtare në Shkup, por pa sukses…

“Shume faleminderit. Ne të dy kemi dakordësuar që nuk do të marrim pyetje në vijim. Kjo do të ngelet për një diskutim të radhës. Sot është e rëndësishme të theksojmë bashkëpunimin mes dy vendeve tona për të lehtësuar akoma më shumë lëvizjen e lirë të qytetarëve”, tha Albana Koçiu – ministre e Brendshme e Shqipërisë.

Ditë më parë kryetar i Aleancës maqedonase për integrim europian, Vasil Sterjovski, tha se komuniteti maqedonas në Pustec është kundër vendimit të qeverisë për hapjen e tre qendrave pritësve për migrantë – në fshatin Zërnosko, në fushat sportive në Pustec dhe në fshatin Dollna Gorica.

 “Këto qendra janë planifikuar për migrantët nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë si vend transiti për në Bashkimin Europian. Aleanca Maqedonase për Integrim Europian denoncon faktin se ky vendim është marrë pa asnjë konsultim publik me banorët e komunitetin maqedonas të Bashkisë Pustec, pa përfshirjen e pushtetit vendor dhe pa dialog me aktorët lokalë duke shkelur rëndë parimet e vetëqeverisjes vendore, transparencës dhe demokracisë pjesëmarrëse”, deklaroi Vasil Sterjovski – Kryetar i Aleancës Maqedonase për Integrim Europian (Shqipëri).

Kryetari i AMIE-së shtoi se hapja e këtyre qendrave, e kombinuar edhe me mungesë investimesh, rrezikon të thellojë emigrimin e banorëve, duke rrezikuar, sipas tij, ekzistencën dhe vazhdimësinë e komunitetit maqedonas në këtë zonë. Sterjovski i kërkoi qeverisë së Shqipërisë ta heqë Bashkinë e Pustecit nga plani për ngritjen e qendrave të emigrantëve. Këtij reagimi dhe kërkesave të AMIE-së iu bashkëngjit edhe Shoqata Maqedonase “Ilinden” në Tiranë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër