Shkup, 31 janar – Ashpërsimi i dënimeve deri në dhjetë vite burg për vepra penale, keqpërdorim të detyrës zyrtare, përfitime të mëdha pronësore në dëm të shtetit, keqpërdorime gjatë furnizimeve publike, ligjërisht sfidon format më të rënda të krimit por në praktikë mund të jetë e relativizuar.
Profesori universitar Bashkim Selmani, thotë se dënimet qëndrojnë, por jo edhe elementet tjera të zbatimit të ligjit.
“Në praktikë efekti ndëshkues është relativizuar për shkak se janë ngushtuar elementet përbërëse të veprës penale, janë shkurtuar afatet e parashkrimit, janë krijuar kushte më të favorshme për rikualifikimin e veprave penale. Pra, korrupsioni ndëshkohet më ashpër në letër, por më vështirë në praktikë, sidomos kur bëhet fjalë për keqpërdorime zyrtare të profilit të lartë.” – u shpreh Profesori universitar, Bashkim Selmani.
Sa ndryshimet janë në përputhje me standardet evropiane, profesor Selmani konsideron se nuk janë plotësisht, pasi ndryshimet janë bërë me procedurë të shpejtuar, pa debat publik duke parashikuar efektet. Ndryshimet ndikojnë edhe mbi rastet në proces.
“Në disa lëndë raste përfundojnë me parashkrim automatik, në disa lëndë kërkohet rikualifikim i veprës penale si dhe dënimet potenciale zvogëlohen ndjeshëm. Objektivisht përfitues kryesor mund të jenë dhe janë zyrtarë aktual dhe ish zyrtarë të përfshirë në raste korrupsioni, persona me procedura të hapura ose të pazgjedhura gjyqësore, subjekte me kapacitete për të shfrytëzuar boshllëqe ligjore, ndërsa humbin qytetarët besimin në drejtësi.” – deklaroi Selmani.
Ndryshimet erdhën pas vërejtjeve të BE-së se vendi udhëhiqej me një kod penal të ndryshuar gjatë vitit 2023, nën pushtetin e LSDM-së dhe BDI-së.
Parlamenti uli dënimet e veprave penale, madje edhe vjetërsoi lëndë të krimit dhe korrupsionit të profilit të lartë politik.
Për keqpërdorimin e detyrës zyrtare me përfitime të mëdha pronësore në dëm të shtetit, politika ndëshkuese u ndryshua nga dënimi prej 6 muaj burg deri në 5 vite në dënim me burg deri në 4 vite. Me po të njëjtat ndryshime ishte shlyer neni i cili parashikonte burg më së paku prej pesë viteve për funksionarët të cilët do të keqpërdornin furnizimet publike. Ulja e dënimeve nga dhjetë vite burg në tre atëherë përfshiu edhe veprat penale kundër rendit public dhe bashkëveprimit kriminel.

