“Rrugëtimi i Kosovës nga paslufta drejt një shteti ku sundon ligji”, Osmani publikon fjalimin në kuadër të Samitit Botëror

Nga B.M
463 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është shembull i ndërtimit të një shteti demokratik mbi guximin, rregullat dhe drejtësinë, gjatë fjalimit të saj në Samitin Botëror të Qeverisjes që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Duke iu drejtuar disa prej liderëve pjesëmarrës në këtë samit, Osmani ka thënë se historia e Kosovës është rrugëtimi nga mbijetesa drejt sovranitetit, nga një vend i shkatërruar nga lufta në një shtet që ka vendosur rregulla në shërbim të qytetarëve të tij.

Ajo theksoi se, hap pas hapi dhe me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, Kosova ka ndërtuar një arkitekturë ligjore dhe rregullatore që e vendos demokracinë në qendër dhe drejtësinë si shtyllën kryesore të funksionimit të shtetit.

“Ajo që dikur ishte e brishtë, sot është bërë e qëndrueshme”, u shpreh presidentja, duke shtuar se Kosova sot nuk është vetëm përfituese e solidaritetit ndërkombëtar, por edhe kontribuese aktive në të.

Osmani vlerësoi se përvoja e Kosovës dëshmon se shoqëritë e qëndrueshme, të bazuara në rregulla dhe të udhëhequra nga një qëllim i përbashkët, nuk janë vetëm të trashëguara, por edhe ndërtohen me vizion dhe vendosmëri. Ajo theksoi se mënyra më e mirë për të nderuar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë është ndarja me botën e mësimeve të nxjerra nga ky rrugëtim.

“Flas si përfaqësuese e një prej demokracive më të reja në Evropë, por edhe si dëshmi e një demokracie që po avancon dhe po forcohet vazhdimisht”, ka thënë ndër të tjera Osmani në fjalimin e saj 10-minutësh.

Gjatë pjesëmarrjes në këtë samit, Osmani takoi disa prej liderëve të shteteve afrikane, përfshirë residentin e Etiopisë, Taye Atske Selassie, shtet që nuk e njeh ende Kosovën si shtet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër