Likovë, 16 shkurt – Në shënimin e 25-vjetorit nga fillimi i luftës që, sipas tij, hapi rrugën e lirisë dhe barazisë, Ali Ahmeti mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar dëshmorëve të parë të rënë në Tanushë, në Karadakun e Shkupit.
Ahmeti theksoi se emrat e Muzafer Xhaferit, Shpend Mazrekajt, Nijazi Sinanit, Qemal Shaqirit, Gazmend Arifit dhe Elham Currit shënojnë fillimin e një kapitulli të vështirë, por vendimtar për dinjitetin dhe barazinë e shqiptarëve.
Sipas tij, sakrifica e tyre nuk ishte një akt momenti, por themel mbi të cilin u ndërtua qëndrueshmëria dhe vetëdija kolektive.
Ai theksoi se kujtimi për dëshmorët mbetet përgjegjësi e përhershme – përgjegjësi për të ruajtur dinjitetin, për të mbrojtur barazinë dhe për të mos e relativizuar kurrë sakrificën e tyre.
Aktiviteti përkujtimor u mbajt në nderim të dëshmorëve, ndërsa pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe respektit ndaj atyre që humbën jetën në fillimet e konfliktit.
