Shkup, 20 shkurt – Në Tiranë gjatë kësaj jave u mbajt takim i ministror me temën “Korridori 8 në Momentin Strategjik të Evropës: Lidhshmëria, Rezistenca përmes Lëvizshmërisë Ushtarake dhe Prosperiteti i Përbashkët përmes Integrimit” në Tiranë. Në këtë takim edhe njëherë u rritheksua rëndësia që ka ky korridor për Ballkanin. Për Maqedoninë e Veriut ky korridor është një damar kyç në funksionin e shtetit dhe lidhje kryesore ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Nëse Korridori 10 është vena, atëherë ky korridor është arteria kryesore që e bën të gjallë ekonominë dhe i jep peshë në arenën ndërkombëtare dhe gjeostrategjike Maqedonisë së Veriut, shkruan “Zhurnal.mk”.
“Korridori 8” është ndër investimet më të mëdha të BE në rajonin e Ballkanit sepse njëherësh shërben si korridor strategjik për NATO-n. Por pavarësisht rëndësisë strategjiko-ekonomike, fqinjët nuk i lënë dot pas mëritë e vjetra.
Kjo rrugë është korridori i transportit rrugor dhe hekurudhor që kalon përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke lidhur portin e Varnës në Bullgari, nga Deti i Zi, me portin e Durrësit në Adriatik. Ky zinxhir lidhet më pas me Italinë, të vetmin shtet anëtar të BE-së brenda këtij korridori. Ai përfshin porte detare, aeroporte, rreth 960 km rrugë tokësore dhe mbi 1270 km hekurudhë.
Fatkeqësisht ky projekt kishte rënë nën hijen e Korridorit 10, që e lidhë jugun e Evropës me veriun, nëpërmjet Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe drejt Serbisë, Hungarisë e deri në veriun më të largët të Evropës. Për lënien nën hije të këtij projekti kishte punuar shumë edhe Serbia, të cilës nuk i konvenonte që të zhvilloheshin marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë dhe të lidheshin më shpesjt drejt detit Adriatik, shkruan “Zhurnal.mk”.
Prandaj, ky projekt në të kaluarën u përball shpesh me mosmarrëveshje dhe probleme të mbartura nga historia. Mes shumë debatesh politike dhe historike, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria akuzojnë njëra-tjetrën se po pengojnë punimet e këtij korridori.
Qeveria bullgare denoncoi devijimin e fondeve të BE-së nga ana e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke e akuzuar atë se po i kalonte fondet tek Korridori 10, korridor që lidh Shkupin me Beogradin dhe Budapestin. Por, pas presionit ndërkombëtar, Kryeministri i Mickoski tha se çështja po politizohej dhe se situata në vetvete ishte thjesht një problem inxhinierik dhe se në anën bullgare projekti hekurudhor ishte i paqartë.
Maqedonia e Veriut është pjesë e trekendëshit ballkanas të Korridorit të VIII, një prej projekteve më ambicioze dhe të rëndësishme strategjike të Bashkimit Europian në rajon, ku përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) janë investuar rreth 14 milionë euro në formë granti dhe rreth 21 milionë euro në formën e huave, pjesë e Agjendës së Lidhshmërisë prej vitit 2018.
Komisioni Europian miratoi gjatë qershorit të këtij viti Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027, përmes të cilit investon në të gjitha vendet kandidate, me qëllim përafrimin me politikën dhe standardet e BE-së. Sipas këtij plani, 6 miliardë euro do të ndahen në: 2 miliardë në formën e granteve dhe 4 miliardë në kredi, ndarje sipas prodhimit të brendshëm bruto dhe popullsisë së secilit vend. Lëvrimi i këtyre fondeve dhe huave mundësohet vetëm pasi qeveritë përmbushin reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian.
“Korridori 8” u konceptua për herë të parë në Konferencën Pan-Europiane të Transportit të mbajtur në Pragë të Çekisë në vitin 1991. Ambicia asokohe ishte vënia në praktikë e kësaj ideje dhe përfundimi i saj brenda një periudhe 15-vjeçare, por projekti mbeti në sirtar për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, të nxitura edhe me nisjen e investimeve kineze në rajonin e Ballkanit.
Pas gati 30 vitesh, ky korridor u rifut në agjendën e investimeve europiane në Ballkan. Në praktikë, ndërtimi i “Korridorit 8” nënkupton lidhshmëri dhe transport më të shpejtë mes vendeve, çka do të thotë zhvillim ekonomik më të mirë, mundësi më të mira lëvizjeje të njerëzve dhe mallrave, duke qenë më pranë filozofisë së tregut të përbashkët europian.
Tanimë më Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të projektit të Korridorit VIII, si vend anëtar i NATO-s. Roli i Italisë si një faktor i rëndësishëm në Detin Adriatik dhe i Rumanisë si një vend kyç në Detin e Zi, por edhe në ekonominë rajonale, është i nevojshëm që Korridori 8 të rritet në një lidhje të vërtetë evropiane, shkruan “Zhurnal.mk”.
Maqedonia e Veriut si pikë qendrore e Korridorit, mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj zbatimit të tij, ndërsa në periudhën e ardhshme, fokusi duhet të jetë në projekte financiarisht të qëndrueshme, zbatim të koordinuar ndërkufitar dhe ruajtje të të njëjtit intensitet zbatimi përgjatë gjithë rrugës së Korridorit 8.
Gjithashtu investimet në kuadër të korridorit të VIII do të nxisin rritjen ekonomike në vendet e Ballkanit, duke siguruar lehtësimin e tregtisë, forcimin e integrimit në zinxhirët rajonalë dhe do të krijojë hapësira të reja për zhvillim industrial përgjatë korridorit, shkruan “Zhurnal.mk”.
