Shkup, 23 shkurt – Incidenti i fundit që tejkaloi gjitha përmasat e sportit ishte ky që ndodhi gjatë ndeshjes mes Bashkimit dhe Vardarit. Huliganë të maskuar me veshje tifozëve kanë uluruar sërish me thirrje antishqiptare, ku kërkonin “vdekje për shqiptarët” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”. Pra, këto parulla e thirrje janë bërë normale sepse nuk ndëshkohen. Nga FFM kanë reaguar për këtë ngjarje por në asnjë moment nuk kanë përmendur këto thirrje, reagimi i tyre është zhvendos në tjetër prizëm, shkruan Zhurnal.
Thirrje raciste, karton i kuq i kontestuar dhe reagime të ashpra –
Derbi i javës së 19-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut, mes Bashkimit dhe Vardarit, nuk u kujtua për spektaklin sportiv, por për anën e errët të futbollit. Ajo që duhej të ishte një festë sportive u shndërrua në një arenë tensioni, ku racizmi, vendimet e kontestuara dhe mungesa e reagimit institucional dolën në pah.
Në minutën e 78, tifozët e Vardarit, të njohur si “Komitët”, lëshuan thirrje raciste dhe antishqiptare. Kjo nuk ishte hera e parë, por një vazhdimësi e një kulture të pandëshkuar. Përfaqësuesit e Bashkimit reaguan tek delegati i ndeshjes, duke çuar në ndërprerjen e përballjes për disa minuta. Ky moment tregoi se futbolli ende nuk është i mbrojtur nga helmi i urrejtjes etnike.
Në minutën e 86, gjyqtari Benjamin Kerimi ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin e Bashkimit, Rexhep Muratin, me arsyetimin se kishte pështyrë. Klubi kumanovar reagoi menjëherë, duke publikuar video ku sipas tyre shihet qartë se nuk bëhet fjalë për pështymë, por për një shenjë në pallton e një tifozi. “Pështyma fantazmë” u bë simbol i një vendimi të cilësuar si skandal nga Bashkimi, këtë e kanë deklaruar për Alsat.
Heshtja e Federatës motivim që thirrjet e tilla të vazhdojnë –
Federata e Futbollit të Maqedonisë reagoi, por vetëm për të mbrojtur gjyqtarin dhe për të arsyetuar vendimin e tij. Në asnjë moment nuk u përmendën thirrjet raciste të Komitëve. Ky qëndrim i FFM-së ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e drejtësisë sportive dhe mbi vullnetin për të luftuar diskriminimin në futboll.
Klubi i Bashkimit e quajti veprimin e gjyqtarit dhe heshtjen e Federatës një skandal të pastër. Ata publikuan pamjet e ndeshjes, duke ironizuar se “jeni duke ngatërruar pështymën me shenjën e palltos së dimrit të tifozit”. Ky reagim nuk është vetëm mbrojtje e lojtarit, por edhe një thirrje kundër padrejtësisë sistematike.
Nga pushteti kanë reaguar me statuse në facebook që presin dhe kërkojnë zbardhje të incidentit dhe dënim të aktorëve, derisa nga opozita e quajnë skandal që ndodhë dhe përsitetet përshkak të mos ndëshkimit.
Kujtojmë që, futbolli në Maqedoninë e Veriut prej kohësh përballet me incidente raciste, vendime të kontestuara dhe mungesë transparence nga institucionet. Problemi nuk është vetëm tek tifozët, por tek strukturat që heshtin ose relativizojnë. Çdo incident nis me bujë, zbardhet me hapa të ngadalshëm dhe përfundon në harresë, pa masa konkrete. /Zhurnal.mk
