Shkup, 26 shkurt – Deklarata e Branko Azeskit, kryetar i Odës Ekonomike, për një cikël të ri investimesh prej 12-13 miliardë dollarësh në dy vitet e ardhshme, ka ngjallur pritshmëri të mëdha. Sipas tij, ky kapital do të hapë perspektiva për mbajtjen e të rinjve në vend, përmirësimin e standardit të jetesës dhe rritjen e fitimeve të kompanive. Por pyetja thelbësore mbetet se ku konkretisht do të kanalizohen këto miliarda dhe si do të përkthehen ato në mundësi reale për gjeneratën e re? shkruan Zhurnal.
Rinia si prioritet strategjik
Migrimi i të rinjve është një nga plagët më të mëdha të Maqedonisë së Veriut, sidomos nga zonat e banuara me shqiptarë. Çdo vit, mijëra të rinj largohen për arsye ekonomike, mungesë perspektive dhe pasiguri institucionale. Investimet e paralajmëruara synojnë ta ndalin këtë trend, por për ta arritur, ato duhet të fokusohen në fusha që prekin drejtpërdrejt jetën e të rinjve. Arsimi dhe inovacioni janë shtyllat kryesore me çka nevojitet krijimi i universiteteve konkurruese, qendrave të kërkimit dhe financimi apo mbështetja e fillestarëve që ndryshe njihen si start-up-a.
Punësimi cilësor ka të bëjë me hapjen e vendeve të punës me paga konkurruese, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në industri moderne si IT, energjia e gjelbër dhe prodhimi i avancuar. Infrastruktura sociale luan rol të jashtëzakonisht në vendosjen e themeleve për të jetuar në vend. Prandaj, fokusi duhet të jetë në investime në banesa të përballueshme, transport efikas dhe shërbime publike që rrisin cilësinë e jetesës.
Pa partneritet strategjik vështirë të arrihen këto objektiva –
Azeski thekson nevojën për një “mik rajonal” një partner strategjik që do të ndihmojë vendin të dalë nga politika e izolimit. Kjo nënkupton bashkëpunim më të ngushtë me vendet fqinje në projekte të përbashkëta infrastrukturore, energjetike dhe tregtare. Pa një kurs të qartë rajonal, investimet e brendshme rrezikojnë të mbeten të fragmentuara dhe pa efekt afatgjatë.
Premtimet për miliarda shpesh kanë shërbyer si retorikë politike dhe ekonomike në rajon. Pyetja është nëse ekziston një plan i detajuar për shpërndarjen e këtyre fondeve apo nëse ato mbeten në nivel deklarativ, që nuk është befasi edhe nëse mbeten kështu. Pa transparencë, pa mekanizma monitorimi dhe pa përfshirjen e sektorit privat në mënyrë reale, rreziku është që investimet të përfundojnë në projekte të paqëndrueshme ose të kapen nga interesat klienteliste.
Nëse 12-13 miliardë dollarë do të investohen me vizion të qartë, ato mund të shndërrojnë Maqedoninë e Veriut në një vend ku të rinjtë shohin perspektivë dhe zgjedhin të qëndrojnë.
Por nëse mungon strategjia, transparenca dhe partneriteti rajonal, ky premtim rrezikon të mbetet një slogan manipulues që akoma më shumë rrënon besimin në deklarata politike. Nuk duhet të harrojmë që rinia nuk mbahet me fjalë, por me mundësi konkrete, paga dinjitoze dhe një shtet që ofron siguri për të ardhmen. /Zhurnal.mk
