Ferit Hoxha: Drejtimi i diplomacisë, përgjegjësi në një moment kaq të rëndësishëm

Nga D. V.
796 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u betua sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në një ceremoni të posaçme të zhvilluar në Pallatin e Brigadave.

Pas ceremonisë së betimit, në një postim në rrjetin social X, Hoxha u shpreh se, “për dikë që ka shërbyer me devotshmëri për më shumë se tre dekada e gjysmë si nëpunës publik dhe si anëtar i Shërbimit të Jashtëm, nuk ka nder më të madh sesa ngjitja në përgjegjësinë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin tonë”.

Hoxha falënderoi kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj për besimin që i kanë dhënë.

Ai e cilësoi këtë detyrë një privilegj të madh por edhe detyrim të lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve të Shqipërisë.

“Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur nderin ta përfaqësoj flamurin kuq e zi në organizata ndërkombëtare dhe kryeqytete të rëndësishme, me bindjen e palëkundur se shërbimi ndaj vendit është detyra më e lartë e një nëpunësi publik”, theksoi Hoxha.

Ministri u shpreh se, kjo përvojë i ka dhënë mundësinë të shohë nga afër se sa shumë është rritur pesha dhe besueshmëria e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, dhe se zëri i Shqipërisë dëgjohet sot me më shumë respekt dhe vëmendje”.

“Së bashku me kolegët e mi në Shërbimin e Jashtëm dhe me të gjitha institucionet e përfshira në hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, do të vazhdojmë të punojmë për të përmbushur me dinjitet misionin tonë në shërbim të Republikës së Shqipërisë, duke jetësuar përparësitë e programit të qeverisë në politikën e jashtme, në zemër të të cilit qëndron pakthyeshëm procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, nënvizoi Hoxha.

“Me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit tonë, të udhëhequr nga parimi themelor – interesi ynë kombëtar  – do të punojmë që Shqipëria të jetë gjithnjë e më e respektuar, më e dëgjuar dhe më e suksesshme, në hapësirën euroatlantike dhe arenën globale”, përfundoi ministri Hoxha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër